Siria prioritet i Guterres

14/10/2016 00:00

Lufta civile e Sirisë do të jetë prioriteti kryesor i shefit të ri të OKB-së, Antonio Guterres. Sirianët, sipas tij, nuk janë vetëm viktima të problemeve të tyre, por edhe të të gjitha kontradiktave të botës së sotme.

“Besoj se fundi i këtij konflikti duhet të jetë përparësi e të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Personalisht, ndiej një solidaritet të thellë me popullin sirian. Sirianët i hapen kufijtë, shtëpite dhe zemrat e tyre milionë refugjatëve nga Iraku dhe Palestina. Kur i shoh sot të vuajnë kaq shumë, më thyhet zemra. Fundi i vuajtjeve të tyre është detyrimi ynë moral”, tha kreu i ri i OKB-së.
 
Guterres bëhet zyrtarisht diplomati numër një i botës në fillim të janarit kur përfundon mandati i dytë i koreano-jugorit Ban Ki Moon. Vota për ish-kryeministrin portugez në Këshillin e Sigurimit ishte unanime, edhe pse këtë herë pati përpjekje të mëdha që në krye të Kombeve të Bashkuara të vendosej një femër.

7 prej 13 kandidatëve në garë ishin gra, mes tyre dhe Drejtorja e Përgjithshme e Unesco-s, bullgarja Irina Bokova dhe 66-vjeçarja Helen Clark, ish-kryetare ekzekutivit të Zelandës së Re dhe shefe aktuale e Programit për Zhvillim të  OKB-së.

Top Channel