AP: Të burgosurit me probleme mendore të trajtohen në institucione të posaçme

31/05/2016 11:00

Avokati i Popullit i ka rekomanduar ministrit të Drejtësisë gjetjen e zgjidhjeve ligjore për personat me probleme të shëndetit mendor në burgje. “Këta persona të nxirren jashtë burgjeve dhe të trajtohen në institucione të posaçme mjeksore, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë”, thotë Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit, Igli Totozani i ka drejtuar një rekomandim Ylli Manjanit, ministër i Drejtësisë, ku kërkohet që të gjenden zgjidhje për personat me masa mjeksore dhënë nga gjykatat për “Mjekim të detyruar”, nxerrjen e tyre jashtë sistemit të burgjeve, si dhe kalimin e tyre në institucione të posaçme mjeksore, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në rekomandim argumentohet se, “në vendin tonë, aktualisht, nuk ka një institucion të veçantë mjeksor për persona që vuajnë nga turbullime psiqike ose neuropsiqike. Këta persona nuk duhet të mbahen në burgje, por në institucione të veçanta mjeksore, të cilat duhen ngritur sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Në këto kushte ne gjykojmë se Ministria e Drejtësisë duhet të marrë masat e nevojshme institucionale e ligjore për nxjerrjen e këtyre personave jashtë sistemit të burgjeve dhe të bëhet kalimi i tyre menjëherë në institucione të posaçme shëndetësore që administrohen nga Ministria e Shëndetësisë”, lexohet në rekomandimin e Avokatit të Popullit.

Top Channel