Argjentina hakmerret ndaj Kilit, e mposht 2-1

25/03/2016 02:50

Dy finalistet e Kupës së Amerikës Latine të vitit të kaluar, Kili dhe Argjentina janë rikthyer të luajnë së bashku, por këtë herë ndeshja ishte e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës.

Në një ndeshje me ritëm të lartë e mjaft të tensionuar, ishte Argjentina ekipi fitues duke i mposhtur vendasit me rezultatin 2-1, i cili u vendos që në pjesën e parë.

Kampionët në fuqi të Amerikës Latine arritën të zhbllokojnë rezultatin që në minutën e 11, por nuk arritën ta mbanin epërsinë e një goli as në pjesën e parë.

Argjentina në këtë ndeshje luante me lojtarët e saj më të mirë, ku në sulm ishte një treshe e frikshme, Messi, Aguro dhe Di Maria nga e cila erdhën edhe dy golat e një fitoreje me mjaft vlera. Në minutën e 20 barazoi shifrat lojtari i PSG, Di Maria, ndërsa vetëm 5 minuta më pas Messi dhuroi një asist perfekt për Mecadon, të cilin ai e ktheu në gol.

Kili bëri përpjekjet maksimale për të gjetur golin e barazimit, por nuk e arriti atë. Në pjesën e dytë, trajneri i Argjentinës, Gerardo Martino, hodhi në fushën e lojës edhe Higuain e Lavezi, që edhe pse nuk arritën të thellonin rezultatin, krijuan disa raste të pastra shënimi.

Kjo fitore për Argjentinën ishte mjaft e rëndësishme pasi gjendej në një pozitë jo të favorshme në renditjen që kryesohet nga Kolumbia, ndërsa me këto tre pikë ngjitet në vendin e katërt me 8 pikë pas 5 ndeshjesh. Kolumbia, që fitoi të enjten 2-3 në Bolivi, është në kuotën e 13 pikëve. Uruguai renditet i dyti me 9 pikë, por me një ndeshje me pak, ndërsa në vendin e tretë është Paraguai me 8 pikë, po aq sa Argjentina.

Brazili deri tani ka grumbulluar 7 pikë duke mbajtur vendin e pestë, menjëherë pas Argjentinës, por të shtunën ka një mundësi të mirë për t’u ngjitur në kuotën e 10 pikëve, pasi do të pres Uruguain. 

Top Channel