Nga i dehur në stërvitje në pastor ungjillor, ish-futbollisti i Realit rrëfen betejën me alkoolin

09/10/2026 20:47

Cicinho, ish-mbrojtësi brazilian që fitoi titullin e La Ligës me Real Madridin, ka nisur një kapitull krejtësisht të ri në jetën e tij, duke u bërë pastor ungjillor.

Në moshën 46-vjeçare, ish-futbollisti ka zgjedhur t’i përkushtohet besimit fetar dhe të ndihmojë të tjerët përmes dëshmisë së tij personale, pas viteve të vështira të shënuara nga problemet me alkoolin.

Braziliani, i cili ka luajtur edhe për klube si São Paulo, Roma dhe Villarreal, i dha fund karrierës si futbollist në vitin 2018. Gjatë dy viteve të kaluara te Real Madridi, ai regjistroi 32 paraqitje, duke shënuar tre gola dhe dhënë pesë asistime, ndërsa fitoi edhe titullin kampion në Spanjë.

Megjithatë, pas suksesit në fushën e lojës fshiheshin probleme serioze personale. Cicinho ka treguar se varësia nga alkooli ndikoi ndjeshëm në jetën e tij, deri në atë pikë sa shkonte në stërvitje në gjendje të dehur, ndërsa përpiqej ta fshihte këtë gjendje nga shokët e skuadrës.

“Futbolli ishte një fazë e jetës sime. Tani faza ime është të ndaj dëshminë time dhe të ndihmoj të tjerët”, është shprehur ish-mbrojtësi, i cili sot mban edhe fjalime motivuese.

Ai ka rrëfyer se problemet me alkoolin nisën që në moshën 13-vjeçare dhe se për një kohë të gjatë nuk arriti të shkëputej prej tij. Sipas Cicinhos, situata ishte veçanërisht e vështirë gjatë periudhës kur luante në Madrid dhe Romë.

“Në Madrid shkoja të flija në orën 04:00 dhe në stërvitje, në orën 08:00, isha tashmë i dehur”, ka treguar ai, duke pranuar se kishte arritur në një pikë ku alkooli ishte bërë pjesë e përditshmërisë së tij.

Cicinho thotë se besimi te Zoti e ndihmoi të ndryshonte jetën dhe se prej vitesh nuk ka më probleme me alkoolin. Ai thekson se tashmë dëshiron të përdorë përvojën e tij për të motivuar njerëzit që përballen me vështirësi të ngjashme.

“Besoj thellësisht te Zoti. Ai të ndihmon të pastrohesh nga e keqja. Unë e shkatërrova veten me alkoolin”, është shprehur braziliani.

Top Channel