Katër gola me Spanjën, Flick mahnitet nga Yamal: Ajo që bën është e pabesueshme, do të jetë më i miri në botë

09/10/2026 14:02

Lamine Yamal nuk pritet të pushojë në ndeshjen e Barcelonës ndaj Getafes, pavarësisht ngarkesës së lartë fizike gjatë ndeshjeve me kombëtaren spanjolle. Trajneri Hansi Flick ka konfirmuar besimin e tij te talenti 18-vjeçar, duke e vlerësuar me superlativa dhe duke parashikuar se ai do të bëhet lojtari më i mirë në botë.

Gjatë pushimit të kombëtareve, Yamal luajti 280 minuta, dhjetë më shumë nga sa kishte premtuar trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente. Megjithatë, sulmuesi i Barcelonës u rikthye në klub pas një paraqitjeje mbresëlënëse, me katër gola dhe një asist në katër ndeshje me fanellën e Spanjës.

Në konferencën për shtyp para sfidës me Getafen, Flick u shpreh i kënaqur me paraqitjet e lojtarit si në kombëtare, ashtu edhe në klub, duke nënvizuar se niveli i tij ka qenë i jashtëzakonshëm.

“Ajo që kam parë në ndeshjet me Spanjën dhe me ne në tetë ndeshjet e para është e pabesueshme. E kam parë nga afër edhe në Londër, në ndeshjen kundër Anglisë”, u shpreh trajneri gjerman.

I pyetur për mundësinë që Yamal të pushojë pas ngarkesës së minutave, Flick la të kuptohet se nuk do të ketë një pushim për të në këtë sfidë.

“Janë të rinj dhe rikuperohen shpejt”, deklaroi ai.

Trajneri i Barcelonës nuk i kurseu vlerësimet për talentin e akademisë katalanase, duke theksuar se përtej aftësive teknike, ajo që e dallon Yamalin është mentaliteti dhe dëshira për t’u përmirësuar çdo ditë.

“Ai është i ri dhe kënaqet duke luajtur futboll. Nëse nuk stërvitet shumë, është mirë që ka arritur ta ruajë këtë nivel. Ai e shijon futbollin, ka besim te vetja dhe qëndrimi i tij është i jashtëzakonshëm. Ajo që shohim në stërvitje është shumë e mirë”, tha Flick.

Më pas, trajneri shkoi edhe më tej në vlerësimin e tij për sulmuesin spanjoll, duke e konsideruar atë një kandidat të sigurt për majat e futbollit botëror.

“Do të jetë lojtari më i mirë në botë, nëse nuk është tashmë i tillë”, u shpreh Flick.

Ai shtoi se mentaliteti, përkushtimi dhe vullneti për të përmirësuar lojën janë elementet që do ta ndihmojnë Yamalin të vazhdojë rritjen e tij.

“Me qëndrimin, mentalitetin dhe dëshirën për t’u përmirësuar çdo ditë, ai ka mentalitetin e duhur. Për momentin është në rrugën e duhur dhe jam shumë i kënaqur me të”, përfundoi trajneri i Barcelonës.

Ndërkohë, Barcelona po përgatitet për rikthimin në kampionat pas pushimit të kombëtareve. Një tjetër lajm pozitiv për Flick është rikthimi i mesfushorit Frenkie de Jong në stërvitje me grupin, pasi kishte zhvilluar seanca individuale.

Top Channel