Edhe një tjetër bombë do të shpërthente në Bruksel e cila me shumë gjasë do të shkaktonte numër më të madh viktimash, por ajo u çaktivizua nga autoritetet. 11 të vdekur në Aeroportin e Zaventem dhe 20 të tjerë në stacionin e metrosë së Maelbeekut, e kanë çuar në 31 numrin e personave që humbën jetën tragjikisht nga sulmet tronditëse të Brukselit.
Ndërsa më shumë se 230 të plagosur janë nën kujdesin e mjekëve. Prokuroria belge ka konfirmuar se bastisjet që janë zhvilluar në lagjen Schaerbeek, periferinë veriore të Brukselit, kanë çuar në zbulimin e një mjeti shpërthyes që ndër të tjera përmbante gozhda.
Pranë tij hetuesit kanë zbuluar edhe produkte kimike dhe një flamur të Shtetit Islamik çka dëshmojnë se edhe këto sende mbajnë vulën e ISIS. Praninë e gozhdëve në bombat e terroristëve e ka konfirmuar edhe një grafi që i përket një pacienti të shtruar në spitalin ushtarak të Brukselit, të cilit në gjoks mjekët e kanë dalluar objektin.
Por, terrorin e shkaktuar jo vetëm në Bruksel por edhe më gjerë, militantët e ISIS e kanë cilësuar si triumfin e tyre dhe e kanë manifestuar nëpër rrjete sociale. Madje edhe përgjegjësinë për sulmin ata e morën përsipër në një postim online në faqen e tyre të lajmeve.
“Luftëtarët e Shtetit Islamik mbajtën një seri bombardimesh me breza dhe me pajisje kamikaze, duke shënjestruar aeroportin dhe stacionin qendror në qendër të kryeqytetit belg, Brukselit”, shkruhet në faqen zyrtare online të “Amaq”.
Në mbrëmjen e së martës, “Reuters”, por edhe mediat gjermane dhe ato italiane, njoftuan se përpara se të ndodhnin sulmet në Bruksel, në Gjermani u arrestuan 3 shtetas të Kosovës. Ata udhëtonin me një makinë me dokumente belge, ndërsa u ndaluan në një autostradë pranë Bavarisë.
Zëdhënësi i policisë gjermane që citohet nga “Reuters”, ka thënë se autoritetet po hetojnë nëse ata kishin ndërmend që të ndërmerrnin ndonjë sulm. Por ai shtoi se nuk kanë informacione konkrete për lidhjet e tre kosovarëve me sulmet në kryeqytetin belg. Ndërkohë identiteti i tyre nuk bëhet i njohur.
Për sulmin e aeroportit, autoritetet belge kanë publikuar një foto ku dyshojnë se personat që shfaqen janë edhe përgjegjësit për vendosjen e valixhes bombë në ambientet e brendshme të Zaventem. Policia belge kërkon ndihmë për identifikimin e këtyre personave si të dyshuar potencialë, fotografia e të cilëve po qarkullon gjerësisht nëpër media sociale.
Brukseli shpalli tre dite zie për goditjen e dyte të terrorizmit në zemër të Europës dhe qeveria i ka ftuar shtetasit e saj të mbajnë një minutë heshtje ditën e mërkurë në orën 12:00.
Mbrëmja e gjeti qytetin e gjunjëzuar me një memorial të improvizuar në nderim te viktimave, ku kryeministri Charles Michel shkoi aty për të dhënë mesazhin se Brukseli është i fortë. Jeta do mundohet t’i rikthehet normalitetit, ku shkollat do të rihapen ditën e mërkurë, ndërsa institucionet do të vijojnë të jenë të mbyllura.
Top Channel