Merkel kritikon Austrinë dhe Ballkanin: Mos i bllokoni refugjatët!

10/03/2016 00:00

Kancelarja gjermane, Angela Merkel fajësoi shtetet europiane për “mbylljen e njëanshme” të rrugës ballkanike të refugjatëve. Një lëvizje e tillë, sipas shefes së ekzekutivit gjerman, e vendos Greqinë në pozicion tepër të vështirë.

“Këto janë vendime që duhet të merren nga i gjithë blloku europian dhe jo vetëm nga disa anëtarë të tij”, ishte komenti i kancelares. Austria, Sllovenia, Kroacia dhe vendet jo anëtare të BE-së, Serbia e Maqedonia, kanë ndërmarrë që të gjitha masa të ashpra për frenimin e fluksit të emigrantëve.

“Personalisht mendoj se, veprimi i njëanshëm i Austrisë, i pasuar nga ato të vendeve ballkanike, padyshim do të na sjellë më pak emigrantë, por Greqinë do ta vendosë në situatë tepër të vështirë. Nëse nuk do të arrijmë vulosjen e marrëveshjes me Turqinë, Greqia nuk do ta përballojë dot për një kohë të gjatë peshën e emigrantëve. Për këtë arsye edhe po kërkoj një zgjidhje të vërtetë europiane të problemit, një zgjidhje që të përfshijë të 28 vendet anëtare”, tha Merkel.

Austria këmbëngul megjithatë se, mbyllja e rrugës ballkanike është e përhershme. Ministrja e Brendshme, Johanna Mikl-Leitner e argumentoi qëndrimin e palëkundur të vendit të saj me idenë, që vetëm një “sinjal i fortë dhe i qartë” do ta zmbrapsë vërshimin e azilkërkuesve në Europë.

Top Channel