Video/ Stuhi të forta godasin Toronton, dëme të mëdha në infrastrukturë. Mijëra banorë pa energji elektrike

03/09/2026 18:29

Stuhi të forta goditën Toronton të mërkurën, duke shkaktuar përmbytje dhe dëme të mëdha në rrugët dhe infrastrukturën e qytetit më të madh të Kanadasë. Dhjetëra mijëra banorë kanë mbetur pa energji elektrike.

“Përmbytjet mbuluan rrugët kryesore, pemët dhe shtyllat e energjisë u rrëzuan dhe dhjetëra mijëra banorë mbetën pa energji elektrike”, tha kryebashkiakja e Torontos, Olivia Chow.

Sipas mediave lokale, brenda pak orësh në Toronto ra më shumë shi sesa sasia mesatare e reshjeve për të gjithë muajin shtator.

“Do ta quanim stuhia e shekullit”, tha Paul Johnson, drejtori i përgjithshëm i shërbimeve të qytetit. Ai shtoi se të mërkurën në mbrëmje, disa lagje të Torontos u përballën me reshje prej 100 deri në 110 milimetrash.

Erërat, me shpejtësi deri në 84 kilometra në orë, shkaktuan dëme në infrastrukturë, përfshirë një stadium me 50 mijë vende. Probleme u raportuan gjithashtu edhe në transportin ajror.


Më shumë se 50 mijë familje në zonën e Torontos mbetën pa energji elektrike, sipas ofruesit të energjisë elektrike të provincës së Ontarios. Ndërkohë, ekipet e emergjencës vijojnë punën për pastrimin dhe rihapjen e rrugëve të prekura.

Top Channel