Një ditë pasi paralajmëroi emigrantët nga Greqia, që t’i qëndrojnë larg Europës, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk përgatitet për bisedime me kreun e shtetit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Blloku tashmë i ka hedhur të gjitha shpresat tek Ankaraja për frenimin e fluksit njerëzor drejt kontinentit të vjetër. Tusk, një ditë më parë ngriti dhe idenë e dërgimit mbrapsht me anije, të emigrantëve që mbërrijnë në shtetin helen nga Turqia, sepse vetëm kështu – tha ai, – do të goditet modeli i biznesit të trafikantëve.
“Mos u besoni trafikantëve. Mos rrezikoni jetët dhe paratë tuaja, sepse nuk ka asnjë vlerë”, tha Tusk.
Tusk është angazhuar në një aktivitet të intensifikuar diplomatik përpara samitit BE-Turqi, që mbahet të hënën. Me mijëra refugjatë dhe emigrantë vazhdojnë të zbarkojnë çdo ditë në ishujt grekë, nga brigjet turke, por qëllimi i tyre për të mbërritur destinacionet e preferuara në veri të Europës, tashmë frenohet nga kontrollet e shtuara kufitare.
Mbi 25 mijë vetë janë aktualisht të bllokuar në zonat pranë kufirit grek me Maqedoninë, çfarë rrit frikën e një krize humanitare.
Top Channel