SHBA, merr fund publikimi i i email-eve të Hillary Clinton

01/03/2016 09:00

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar email-in e 14-të dhe të fundit institucional që ka kaluar përmes serverit privat të Hillary Clinton kur ajo ishte sekretare e Shtetit.

Bëhet fjalë për një çështje që vazhdon të bezdisë kryesuesen e garës së demokratëve për president, por që mesa duket do të përfundojë.

Blloku i fundit konsiston në 3.800 dokumenta, për një total prej 52 mijë email-esh, 2 mijë prej të cilëve të etiketuar si të “klasifikuar”, edhe pse në disa raste në mënyrë retroaktive.

Në këtë seri, megjithatë, nuk shfaqen informacione “top secret”. I vetmi mesazh që për muaj të tërë u konsiderua i tillë, që kishte të bënte me programin bërthamor të Koresë së Veriut, mbeti “sekret”, një rang klasifikimi më i ulët.

Mbeten “top secret” ndërkohë 22 mesazhet e tjera që kanë të bëjnë me programet e CIA-s për avionët e telekomanduar.

Të paprekur kanë mbetur edhe 18 mesazhe jo të klasifikuar, të shkëmbyer me presidentin Barack Obama.

Top Channel