Venecia për reformën, PD: Një mazhorancë me 84 vota mund të rrisë influencën në drejtësi

24/12/2015 10:25

Përfaqësuesit demokratë të reformës në drejtësi treguan vëmendje ndaj çdo rekomandimi, me të cilin Komisioni i Venecias vë në dyshim mjetet e parashikuara në amendamentet aktuale kushtetuese për të pastruar drejtësinë nga të korruptuarit dhe për të shmangur varësinë nga qeveria.

Çfarë vihet në dyshim është mënyra sesi do te zgjidhen nga Parlamenti dhe sesi do të funksionojnë organet e reja që krijohen për të kontrolluar gjyqtarët dhe prokurorët.

Komisioni i Venecias thote se skema e propozuar është shumë e komplikuar dhe kërkon thjeshtimin maksimal të saj. Por ajo çfarë duhet zgjidhur filimisht, për të patur përbërje pluraliste është sesi do të procedohet nga Parlamenti me emërimin e anëtarëve nga jashtë sistemit të drejtësisë, në një vend ku qeveria kontrollon shumicën e cilësuar prej 84 votash.

“Në këtë moment, Komisioni i Venecias risjell në vëmendje një Opinion të tij të mëparshëm, sipas të cilit “kur kriteri i miratimit me shumicë të cilësuar përfshihet në Kushtetutë me iniciativë të një grupimi politik që e zotëron këtë shumicë, atëherë ky rregull, në vend që të sigurojë pluralizmin dhe shkëputje politike të organit rregullator, në fakt “çimenton” ndikimin e këtij grupi të veçantë brenda organit rregullator dhe mbron këtë ndikim kundër ndryshimit të krahëve politikë në të ardhmen”, tha Enkelejd Alibeaj.

A e konsideron opozita këtë si një derë të hapur që 5 anëtarët jashtë sistemit të drejtësisë nga 11 që propozohet të ketë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë të zgjidhen me 2/3-at e të gjithë anëtarëve të Parlamentit?

“Po, ne kështu e konsiderojmë. Ose pjesëmarrje substanciale e opozitës si ne rastin e KQZ-së”, tha Alibeaj.

Një pikë e nxehtë e reformës kushtetuese që Komisioni i Venecias ka vënë në dyshim është edhe mënyra e vlerësimit të gjyqtarëve dhe e prokurorëve nga një komision i pavarur kualifikimi.

Ekspertet e Venecias sjellin sërish në vëmendje rrezikun e kontrollit të këtij mekanzimi kyç nga qeveria nëpërmjet shumicës prej 84 votash që zotëron aktualisht.
 
“Komisioni i Venecias evidenton se zgjidhje të tillë radikale (si procesi i rivlerësimit) janë të paarsyeshme në kushte normale, pasi krijojnë tensione të mëdha brenda gjyqësorit, destabilizojnë punën e gjyqtarëve, shton mosbesimin e publikut në gjyqësor, shmang vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre normale, dhe, si çdo masë të jashtëzakonshme, krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga ana e forcës politike që kontrollon procesin”, tha Bardhi.

Deri tani nuk ka propozime konkrete publike sesi do të zgjidhen këto çështje, por nënkryetari demokrat i komisionit, Eduard Halimi, zbuloi se ekspertët e të gjitha palëve të përfshira në reformë, kanë nisur ndërkohë punën në një territor të besueshëm.

“Kemi nisur punën në ambsadën amerikane. Dialog dhe sinqeritet është shumë e nevojshme. Të ecim si me dekriminalizimin, zbatim pikë për pikë e rekomandimeve të Venecias”, tha Halimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA