Kur ndeshja ishte mbërthyer në shifrat e barabarta 1-1, Felipe Melo mendoi të bëhej protagonist në “San Siro”, duke i dhuruar Lacios një 11-metërsh, të cilin Candreva e ktheu në gol. Më pas, braziliani kreu edhe një ndërhyrje tejet të rëndë duke u ndëshkuar me kartonin e kuq.
Kryesuesit e Serie A nuk mundën të vazhdonin ecurinë e rezultateve pozitive në kampionat, pasi Lacio me Etrit Berishën në port u tregua më e kujdesshme, duke dale me 3 pikë nga “San Siro”.
Bardheklatrit kaluan në avantazh pas 5 minutave loje. Ishte goditje nga këndi dhe kur të gjithë mendonin se topi do të krosohej në zonë, ai u dërgua në këmbët e Candreva-s, i cili lëshoi një të djathë potente, të pakapshme për portierin slloven të Interit.
Më pas ziklatrit tentuan me të gjitha mënyrat për të shënuar dhe qëllimit ia arritën në minutën e 61-të me kapiten Icardi-n, i cili shënoi pas një pasimi të Perisic.
Kur u mendua se takimi përfundoi në barazim, ishte mesfushori brazilian i Interit, i cili realizoi gafën e radhës, duke hipur mbi kurrizin e kundërshtarit që në zonën e Interit. Kryesori i takimit nuk nguroi, por akordoi menjëherë 11-metërsh. Ishte sërish Candreva që e merr përsipër atë, por goditja e parë pritet nga Handanovic, por topi rikthehet sërish te lojtari i Lacios, i cili këtë herë e dërgon në rrjetë atë.
Veprimet negative të Melos nuk kishin përfunduar këtu, pasi tashmë ai ishte tradhtuar nga nervat dhe në minutën e 90 realizon një ndërhyrje të rëndë, duke u ndëshkuar me kartonin e kuq.
Megjithatë, edhe pse Interi u mund në këtë takim, vazhdon të jetë në krye të Serisë A, me 36 pikë, një më shumë se Napoli dhe Fiorentina që gjenden në vendin e e dytë dhe të tretë, Por, tashmë vjen frikshëm Juventusi. Bardhezinjtë pas javës së 17 ndodhen në vendin e katërt, vetëm 3 pikë nga Interi.
Top Channel