Trupa e KQZ-së në Kosovë, asistencë dhe bashkëpunim

07/12/2015 16:45

Një delegacion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë, kryesuar nga kryetarja Lefterije Luzi ka vizituar të hënën KQZ-në në Kosovë.

Kryetarja kosovare Valdete Daka, në konferencën për shtyp siguroi vazhdimësinë e bashkëpunimit mes dy KQZ-ve dhe përgëzoi KQZ-në e Shqipërisë për marrjen e presidencës së Asociacionit Europian të Zyrtarëve Zgjedhorë.

“Përgëzoj Shqipërinë, veçanërisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe kryetaren e tij, që do të organizojnë konferencën jubilare të AEZZ-së, si dhe për marrjen e presidencës së kësaj organizate, përmes të cilës do të na përfaqësojë edhe neve”, deklaroi Daka.

Ndërsa homologia shqiptare Lefterije Luzi, duke folur për konferencën e Asamblesë së Përgjithshme të Asociacionit Europian të Zyrtarëve Zgjedhor, bëri të ditur se KQZ e Kosovës jo vetëm do të jetë prezente, por edhe do të ndihmojë në organizmin e konferencës.

“Është një fat i madh që KQZ-ja e Shqipërisë ka presidencën e radhës të AEZZ-së, si dhe për faktin se vitin e ardhshëm 25-vjetori i kësaj organizate do të mbahet në Shqipëri, ku KQZ-ja e Kosovës do të jetë jo vetëm e pranishme, por edhe do të ndihmojë në organizimin e saj”, tha Luzi.

Luzi po ashtu bëri të ditur se së shpejti në Shqipëri do të ngrihet një qendër e trajnimeve për komisionerët, e cila do t’u shërbejë edhe trupave zgjedhore, duke theksuar se pjesë e saj do të jetë edhe Kosova.

Luzi shtoi se KQZ-ja e Kosovës ka ndihmuar Shqipërinë edhe në realizimin e dy pilot projekteve dhe, siç tha ajo, shkëmbimi I përvojave dhe bashkëpunimi mes dy KQZ-ve është i përhershëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA