BE-ja njëzëri: Bllokada e dhunshme, e papranueshme. Palët të dialogojnë

30/11/2015 00:00

“Sot kemi qenë dëshmitarë të vazhdimit të bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës nga ana e opozitës. Kjo lloj bllokade e dhunshme nuk është e pranueshme dhe as nuk do të zgjidhë ndonjë prej problemeve të qytetarëve të Kosovës”.

Kështu nis reagimi i përbashkët i përfaqësuesve diplomatikë të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë, e shpërndarë në formë elektronike nga zyra e BE-së.

Deklarata bën thirrje për kthimin e dialogut në jetën politike në përgjithësi, si dhe në Kuvend në veçanti, për të parandaluar çdo përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës, që mund të çojë në dëmtimin e pronës dhe lëndimin e jetëve të njerëzve.

Në deklaratë vlerësohet sjellja paqësore e opozitës në protestën e së shtunës, si një shembull i mënyrës demokratike të shprehjes së pakënaqësive lidhur me çështjet politike, si dhe është një dëshmi, që Kosova dhe krerët e saj politikë janë në gjendje të angazhohen në një dialog politik përmes mjeteve demokratike.

“Me këtë rast ne theksojmë rëndësinë, që institucionet të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me detyrimet dhe kompetencat e tyre ligjore, si dhe që partitë politike e politikanët të ushtrojnë aktivitetet e tyre në kuadër të fushëveprimit të përcaktuar me ligj. Askush nuk është mbi ligjin dhe ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë. Në një shoqëri, që qeveriset nga parimet e sundimit të ligjit, vendimi i një organi gjyqësor duhet të respektohet dhe të implementohet, pavarësisht se për kë bëhet fjalë. Njëkohësisht, gjatë ushtrimit të funksionit të tyre, institucionet e gjyqësorit kanë për detyrim të sigurojnë respektimin e plotë të të drejtave të njeriut, sikurse dhe të personave në fjalë”, përfundon deklarata e ambasadave apo zyrave të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë.

Top Channel