Në gjurmët e Salah Abdeslam, policia ndjek të dhënat e kartës së kreditit

24/11/2015 00:00

Karta e kreditit është mbase elementi që do të tradhtojë personin më të kërkuar sot në Europë, atentatorin e arratisur të sulmeve të Parisit, Salah Abdeslam.

Të paktën këtë shpresojnë hetuesit e përqëndruar tek gjurmimi i 26-vjeçarit, i cili në muajin gusht rezulton të ketë përdorur kartën e tij për të marrë me qira njërin prej apartamenteve të përdorur nga ekstremistët në Paris. Verifikimet e orëve të fundit lënë të kuptohet se Abdeslam mund të mos ketë në dispozicion të tjera mënyra për të siguruar para, dhe me lëvizjet e karteës së kreditit ka lënë një sërë gjurmësh të vlefshme për autoritetet.

Siç është pagesa e kryer në 11 nëntor: 700 euro të kaluara shoqërise që menaxhon apartamentet e dhëna me qira edhe për periudha të shkurtra kohe. Abdeslam zgjodhi një banesë me dy dhoma në komunën e vogel Alfortville. Prenotoi për të gjithë javën dhe shumën, e hodhi të plotë. Askujt nuk ia priste mendja se ajo kthinë e humbur do të shndërrohej në njërën prej “strofullave” ku terroristët përgatit9n misionin e tyre të vdekjes.

Tjetra ishte një banesë në Banlieue-n e Bobigny-së. Policia franceze i zbuloi që dy apartamentet pak orë pas sulmeve të koordinuara në bare, restorante, stadiumin “Stade de France” dhe në sallën e koncerteve Bataclan. Të hënën, një brez me eksplozivë u gjet në një kosh mbeturinash në Montrouge, në jug të Parisit, pikërisht zona ku Abdeslami besohet të ketë kaluar gjatë largimit të tij nga kryeqyteti francez. Një tjetër e dhënë e rëndësishme në mbështetje të pretendimeve se 26-vjeçari duhet të hidhte veten në erë si të tjerët, por ka ndërruar mendje dhe ka vendosur ta braktisë misionin vetëvrases.

Ndërkohë një prej ekspertëve që tentuan të negocionin me agresorët e Bataclanit përpara se teatri të mësyhej nga forcat e policisë, rrëfeu për mediat se sulmuesit ishin tepër nervozë, silleshin si të tërbuar e dukeshin mjaft konfuzë, sikur të ishin nën efektin e ndonjë droge, ndërsa përsërisnin mekanikisht të njëjtat shprehje: “jemi ushtare të kalifatit”, dhe “ky është faji i Hollande-it”.

Top Channel