Për zhvillimin e njëanshëm të disa rajoneve në Maqedoni dhe diskriminimin etnik të një pjesës ku kryesisht jetojnë shqiptarët, deputeti i BDI, Ramiz Merko ka akuzuar të gjithë ministrat të cilët kanë zbatuar në mënyrë të njëanshme ligjin e deritanishëm për zhvillim të barabartë rajonal.
Gjatë debatit parlamentar rreth ligjit të ri për zhvillim rajonal, Merko, që është deputet i partisë shqiptare në pushtet, tha se zbatimi i plotë i tij është shumë i rëndësishëm për të krijuar raporte të mira ndëretnike dhe për të forcuar besimin në shoqëri.
“Maqedonia, nëse do që këtu në Parlament të mos ketë përplasje të mëdha, por edhe jashtë Parlamentit të mos ketë kritika rreth zhvillimit jo të barabartë të vendit në të gjitha pikëpamjet, duhet të zbatojë këtë ligj”, deklaroi Merko.
Opozita maqedonase i ka dhënë mbështetje ligjit të ri për zhvillim të barabartë rajonal, që është propozuar nga Ministria e Pushtetit Lokal, ndonëse nuk beson se ai do të zbatohet në praktikë. Deputetët maqedonas të opozitës thanë se mazhoranca miraton ligje vetëm për marketing politik.
“Jo vetëm ky ligj, por shumë ligje në Maqedoni nuk zbatohen si duhet. Ky është problemi kryesor për ngecjen e shumë çështjeve në vend dhe kjo do të jetë arsyeja kryesore për largimin e kësaj qeverie”, tha Orçe Pançev nga LSDM.
Me ligjin e ri për zhvillim të barabartë rajonal, qeveria parashikon t’i sigurojë më tepër pavarësi dhe mbështetje më të madhe financiare 8 qendrave për zhvillim rajonal në vend.
Top Channel