Refugjatët, Merkel kundër aleatëve; refuzon mbylljen e kufijve

03/11/2015 11:35

Pavarësisht këmbënguljes se partneres së koalicionit qeverisës, CSU, Angela Merkel refuzon mbylljen e kufijve. Një lëvizje e tillë, sipas “Deutsche Welle”, do të tensiononte gjendjen në Ballkan, skenar ky që kancelarja mesa duket kërkon ta shmangë.

Madje, Merkel shkon deri aty sa të paralajmërojë se tendosja e situatës rrezikon të shkaktojë edhe konflikte ushtarake në rajon.

“Mbyllja e kufijve do të shkaktonte kritika dhe grindje mes vendeve të ndryshme”, citohet të ketë thënë ajo në takimin e partisë së vetë, CDU, të mbajtur në Darmshtadt.

Të tilla pohime, kancelarja i ilustroi me ngërçin e krijuar nga ngritja e murit në kufirin e Hungarisë me Serbinë dhe efektin domino që ky veprim pati me vërshimin e refugjatëve në Kroaci e Slloveni.

“Vendet e Ballkanit perëndimor edhe kështu kanë vazhdimisht mosmarrëveshje me njëri-tjetrin. Nuk dua që atje sërish të jenë të domosdoshme ndërhyrjet ushtarake”, theksoi Merkel.

“Qëllimi im nuk është të përhap pesimizëm, por duhet të jemi të vetëdijshëm se gjendja në Ballkan mund të përshkallëzohet më shpejt nga sa mund të mendohet”, ka paralajmëruar ajo.

Grindjet rrezikojnë të shndërrohen në zhvillime të tjera, të cilat nuk i do askush. Vala e refugjatëve që kalojnë më së pari nga Maqedonia e Serbia, për të vazhduar në veri të Europës ka sjellë përplasje të forta mes Serbisë dhe Hungarisë, Serbisë dhe Kroacisë, si dhe Kroacisë me Slloveninë.

Gjermania, si vend i madh, e ka për detyrim të gjejë një zgjidhje për emigrantët e mbërritur në Europë, ishin komentet e mëtejshme të kancelares, që sërish u shpreh e bindur se mund të bëhet një përpjekje e përbashkët e bazuar mbi solidaritetin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA