Zhvendosja e familjeve rome, AP: Të shmanget keqtrajtimi fizik

06/10/2015 09:35

Avokati i Popullit ka nisur shqyrtimin e çështjes që lidhet me zhvendosjen e pritshme të familjeve rome, të vendosura në zonën pranë Liqenit Artificial të Tiranës.

“Theksojmë se ky është rast i përsëritur në të cilin dalin probleme të mprehta sociale, që lidhen me strehimin e familjeve rome, të cilat janë vendosur në zona periferike të qyteteve të mëdha”, thuhet në komunikatën e Avokatit të Popullit.
 
“Në kuadër të hetimit administrativ të nisur nga Avokati i Popullit, kemi kërkuar shpjegime nga Bashkia Tiranë për bazën e trajtimit të kësaj çështjeje, studimit të mundshëm paraprak që ka kryer në lidhje me këtë, si dhe të masave të parashikuara për vazhdimin normal të jetesës së familjeve rome, të cilat jetojnë në këtë zonë. Po kështu, ekspertët e Avokatit të Popullit kanë inspektuar në vend familjet rome dhe kanë marrë informacionet e para. Trajtimi i mëtejshëm i këtij rasti është në ndjekje të posaçme nga ana e Avokatit të Popullit, i cili i ka paraprirë këtyre zhvillimeve me konstatime të hershme, duke evidentuar gjendjen e të drejtave të minoritetit rom në Shqipëri edhe në raporte të posaçme. Gjithashtu, Avokati i Popullit ka përgatitur dhe u ka drejtuar institucioneve përgjegjëse një sërë rekomandimesh të rëndësishme, që synojnë marrjen e masave për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit rom”, shton më tej komunikata.

Avokati i Popullit konsideron si prioritare “përjashtimin kategorik të zhvendosjes me forcë të këtyre familjeve rome nga territori publik në zonën e Liqenit Artificial. Shmangia e keqtrajtimit fizik të këtyre banorëve duhet të jetë në vëmendjen e çdo institucioni shtetëror, aktorëve të shoqërisë civile, si dhe të partnerëve ndërkombëtarë, pasi në të kundërt kalojmë në një situatë të kundraligjshme, që cënon çdo standard ndërkombëtar, të vendosur për përmirësimin e kushteve të jetesës normale të këtij komuniteti. Avokati i Popullit do të vazhdojë ndërhyrjen e tij proaktive për sqarimin e plotë dhe zgjidhjen sa më optimale të kësaj çështjeje”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA