Turqi, mbyten 17 emigrantë sirianë

27/09/2015 13:55

Një tjetër fatkeqësi është konsumuar sot në brigjet turke: 17 emigrantë të nisur drejt Greqisë u mbytën pas fundosjes së mjetit lundrues me të cilin udhëtonin.

Të gjithë viktimat besohet të jenë sirianë. Mes tyre, sipas raporteve të mediave lokale, ka 5 gra e 5 fëmijë. Personat që humbën jetën në incidentin më të fundit të kësaj natyre kanë qenë të bllokuar në kabinën e anijes që përdorej për udhëtarët.

20 emigrantë të tjerë, të cilët ndodheshin në kuvertë dhe mbanin veshur jelekë shpëtimi, kanë shpëtuar që të gjithë.

Anija e fundosur besohet të jetë nisur nga brigjet e fshatit Gumusluk, pranë pikës turistike të Bodrumit, ku vdiq në fillim të muajit 3-vjeçari sirian Aylan Kurdi, fotoja e trupit të pajetë të të cilit mbushi faqet e para të gazetave në mbarë botën e nxiti veprimet e komunitetit ndërkombëtar në ndihmë të refugjatëve.

Top Channel