Pambuku sirian në duart e ISIS, 150 milionë $ në vit në arkat e grupit

24/09/2015 10:55

Jo vetëm nafta, rrëmbimet dhe taksat mbi popullsitë e pushtuara. Tani edhe pambuku sirian i shitur në Evropë financon terroristët e Shtetit Islamik.

Sipas një studimi të publikuar nga e përditshmja franceze “Le Monde”, një pjesë e prodhimit të industrisë tekstile siriane ushqen arkat financiare të ISIS.

Kundrejt çdo pritshmërie, pavarësisht dhunës së konfliktit, prodhimi i pambukur nuk është zhdukur nga Siria, shkruan gazeta.

Studimi i Anne Laure Linget Riau, eksperte e furnizimeve ndërkombëtare në sektorin e tekstileve, tregon se 6 për qind e importit të pambukut në Turqi vjen nga fushat që në 90 për qind të rasteve kontrollohen nga fondamentalistët islamikë.

Kjo ka çuar në arkat e organizatës terroriste rreth 150 milionë dollarë vetëm vitin e fundit. Për rrjedhojë, industrialistët turq negociojnë uljen e çmimeve, në mënyrë që prejardhja e lëndës të mos gjurmohet.

Një e pesta e bluzave “t-shirt” të fabrikuara në Turqi janë me pambukun që kultivohet në veri të Sirisë. Rrjedhimisht llogaritet që 1.2 për qind e bluzave të fshitura në Francë financojnë direkt Shtetin Islamik.

“Në vitin 2010, Siria ishte prodhuesi i dhjetë në botë i pambukut, i treti i pambukut bio, që shërbente për të fabrikuar fanelat e kompanive private”, sqaron ekspertja.

Por edhe pse ndërkohë ka humbur shumë pozicione, Damasku vazhdon të eksportojë veshje, përbërja e të cilave është nga pambuku që ndodhet në fushat veriore, në territoret e ISIS.

Në Perëndim, Gjermania ka vendosur të mos importojë më nga Siria, në shenjë proteste ndaj regjimit të Assad. Por ndërkohë, Franca është bërë tregu i tretë i importit të pambukut Sirian, pas Italisë dhe Greqisë.

Top Channel