Nga ILIR YZEIRI – Këtë vit, Angela Merkel feston 10-vjetorin në krye të Gjermanisë. I pari që e uroi në këtë përvjetor ishte kundërshtari i saj politik, lideri i “Linke”-s, Gregor Gysi.
Përmes një prononcimi në “Bild”, ai i bëri asaj një urim të sinqertë. Kancelarja, tha ai, meriton respekt të madh sepse ajo i mundi të gjithë burrat e fuqishëm të partisë së saj. Ndërsa pyetjes se përse Angela Merkel është kaq e dashur prej gjermanëve, ai iu përgjigj: “Është modeste, jo vanitoze dhe absolutisht e painteresuar për paratë”. Gazetat kryesore të Europës janë marrë me këtë përvjetor të Merkelit dhe me këtë figurë të madhe të politikës botërore dhe gjermane. Filozofi Slavoj Zizek, i pyetur për suksesin e Merkelit, u përgjigj se Merkel i dha Gjermanisë normalitetin, madje më shumë se aq, i dha jetën krejtësisht normale. Është i njohur nga të gjithë stili i veçantë i jetës së Angela Merkelit, jeta super e thjeshtë që ajo bën, nga e cila kanë mbetur në kujtesë, apartamenti modest prej rreth 80 m² ku ajo jeton me të shoqin apo pushimet e saj në Iskia si një turiste e zakonshme që del në treg dhe ble peshk vetë dhe futet mes njerëzve të zakonshëm për të mbërritur në apartamentin e saj përsëri të thjeshtë. E përkushtuar deri në imtësinë më të fundit për punën dhe vendin e saj, ajo e ruajti Gjermaninë në këtë kohë të rëndë krize dhe e bëri lokomotivë të zhvillimit dhe prijëse të ekonomisë europiane. Mirëpo këtu nuk është rasti që të bëjmë analizën e sukseseve të Merkelit, ajo që dua të nënvizoj është modeli i kësaj shtetareje të madhe dhe konstatimi nga kundërshtarët e saj politikë se ajo është modeste dhe nuk i interesojnë paratë. Është pra, ashtu siç e quajnë gjermanët, “Muther Merkel”- nëna Merkel. Madje një kopertinë e “Der Spigel”-it e paraqiste atë me veshjen e Nënë Terezës dhe titulli ishte “Muther Merkel” për të bërë analogji me Nënë Terezën.
Paratë, Nënë Tereza dhe politikanët tanë
Gjermanët për ta lartësuar Kancelaren e tyre zgjodhën si modelin më të lartë, figurën e Nënë Terezës. Shqiptarët janë prej të shumtëve që jo vetëm nuk e imitojnë modelin e Nënë Terezës, por edhe e kanë fyer atë. Unë nuk do të pushoj së denoncuari se klasa jonë politike është e mallkuar për shumë arsye, por njëra prej tyre, ajo e dhunimit të amanetit të Nënë Terezës është klithma më e thellë e këtij mallkimi. Vinçi që qëndron ende ngritur në vendin ku do të duhej të ngrihej spitali që iu premtua Nënë Terezës është si një gisht tregues për hajdutët, bukëshkalët dhe të pamoralshmit politikanë e qeveritarë tanët që e varrosën amanetin e Nënë Terezës dhe nuk e ndërtuan spitalin e saj duke vjedhur paratë dhe duke zaptuar tokën. Po kjo është një histori tjetër. Gjermanët e çmojnë kancelaren e tyre dhe për ta nderuar e paraqitin me portretin e Nënë Terezës, ne e kemi Nënë Terezën ndërsa politikanët e shtetarët tanë, sa herë që duam t’i shëmbëllejmë, na duhet të gjejmë për ta portretet e mafiozëve dhe të diktatorëve latinë e afrikanë. Kultura gjermane e shtetformimit dhe shtetbërjes janë një histori tjetër dhe në këtë rast është vështirë që të kërkojmë shembuj apo të hamendësojmë se politikanët shqiptarë do të duhet të ishin engjëj. Jo, askush nuk e kërkon atë, por ama, të gjithë jemi të llahtarisur se përse na qëlluan kaq djaj. Shqipëria ka klasën më të korruptuar politike në rajon dhe të gjithë politikanët shqiptarë janë të obsesionuar pas parasë. Parlamenti shqiptar është një karnaval pasunarësh që të kall krupën. I mbushur me biznesmenë e me pinjoj të familjeve të dyshuara për krim, Parlamenti shqiptar ngjet me një kazino gjigante në të cilën të gjithë hedhin zaret për interesat e tyre. Në këta njëzet e ca vjet, dëmi më i madh që iu bë Shqipërisë është instalimi i kultit të parasë nga politikanët tanë dhe vdekja e moralit dhe e shërbimit. Më gjeni një politikan apo shtetar që erdhi dhe iku nga politika dhe nuk i shtoi pasurisë së tij asgjë. Të mos flasim për vilat, për numrat pafund të llogarive, për makinat luksoze apo favoret e tjera se do të duhej shumë vend e kohë. Ajo që është vrastare në këtë vend, është modeli që iu imponua Shqipërisë. Sipas këtij morali, Shqipëria është e mirë për të bërë ndonjë lekë dhe për t’u grabitur. Ky vend nuk ka një model ekonomik, nuk ka një vizion, nuk di se ku shkon. Inercia e shqiptarëve për të mbijetuar dhe për të arritur sukses vjen më së shumti edhe nga tradita e jetës së gjatë nën trysnitë totalitare.
Individualistë dhe armik me tjetrin
Krijimi i kultit të parasë dhe projektimi i vendit të përbashkët të jetës, atdheut utopia, si një mundësi për të bërë para, ka nxitur tek të gjithë kuptimin e jetës si një tentativë për të shfrytëzuar të gjitha hapësirat që të pasurohesh me çdo kusht. Fëmijëve në shtëpi u tregohen modelet e atyre që kanë lekë dhe që shqyhen me makina të shtrenjta, në TV këngët që këndohen nga turbofolku janë ato që realizohen në pishina e me bythët majë makinave luksoze. Gjithë vendi ngjan si një Far-West dhe i suksesshëm është ai që mashtron më shumë apo që vjedh më shumë apo që bën para më shumë. Ndaj edhe shqiptarët, në të shumtën e rasteve, sillen si të ishin në luftë me banda. Ndaj edhe shkolla, të nxënit e ka humbur kuptimin se shqiptari nuk e kupton jetën apo punën si një shërbim, si një mundësi për të çuar një jetë normale, por si një hendek apo si një transhe që do t’i mundësojë të mundë kundërshtarin e nesërm dhe t’i rrëmbejë këtij vendi sa më shumë lekë. Ne nuk kemi një model ku të identifikohemi. Në rrymë të shekujve ka ndodhur pak a shumë kështu që shkrimtarët e mëdhenj dhe ata arbëreshë, sidomos u kujtonin atyre që jetonin nën Perandorinë Otomane kohën e lavdishme të Skënderbeut, Shqipërinë kristiane, rilindësit po ashtu e ngjallën këtë traditë. Gjatë mbretërisë, modeli nisi të kërkohej edhe të Oksidenti përparimtar, por në vend zotëronte orienatilizmi turkoshak. Komunistët bënë eksperimentin më tragjik duke krijuar modelin e njeriut të ri dhe duke ngritur në zenit jetën e thjeshtë. Dogmat komuniste imitonin për mrekulli rekomandimet kristiane. Pas rënies së diktaturës shqiptarët zbuluan vetëm një model-paranë dhe u mbytën në det, u vranë, u prenë për të bërë lekë. Në krye të kësaj katastrofe u vunë politikanët e tyre të cilët jo vetëm që nuk e ndalën këtë tërbim në mënyrë që të ndërtonin një model tjetër, përkundrazi u bënë vetë modeli më i shëmtuar. Ndaj dhe Angela Merkel duket si nga një planet tjetër, sepse ajo, siç e pranon kundërshtari i saj politik, nuk ka interes për paratë. Asaj i intereson Gjermania, gjermanët, të cilët e kanë votuar për 10 vjet rresht. Urime Kancelare!
Top Channel