Vetëm 14 kilometra larg pikës kufitare të Qafë-Thanës, në jugperëndim të Maqedonisë, shtrihet Struga, një qytet me piktura të gjalla. Qyteti të lejon të kridhesh në ndjesi të paqta, rrethuar nga uji, zogjtë e pulëbardhat në bregun e liqenit…

“Kam ardhur në Maqedoni një javë më parë. Pamja që të ofron Struga dhe e gjithë atmosfera përreth është jashtëzakonisht e këndshme. Që tani po mendoj se mund të kthehem sërish në këtë qytet”, thotë një turiste nga Skocia.

Me një lartësi mbidetare prej 698 metrash, në brigjet e liqenit të Ohrit dhe Drinit të Zi, Struga përfaqëson një destinacion turistik ku mund të eksplorosh shumëçka… Shtëpitë karakteristike, pazari i vjetër, kishat dhe xhamitë e vjetra, janë vetëm pak nga tablotë që mund të fiksohen në aparatin fotografik.

Sipas të dhënave zyrtare, në territorin e Komunës së Strugës jetojnë rreth 65 mijë banorë: 57% të kësaj popullsie e përbën komuniteti shqiptar, 32% ai maqedonas. Gjatë verës, popullsia e qytetit rritet ndjeshëm prej turistëve që zgjedhin të pushojnë këtu.

Për shumë shqiptarë e të huaj, Struga është një kartolinë që nuk mund t’i mungojë pushimeve verore, ndaj nga viti në vit vihet re një rritje e numrit të turistëve. Këtë e dëshmojnë edhe varkëtarët, që kalojnë më shumë se gjysmën e ditës mbi ujërat e ëmbla të Ohrit, e që jo rrallëherë të ofrojnë edhe guidën…

“Ambienti është i këndshëm, maqedonasit dhe shqiptarët shkojnë mirë, ka turizëm në liqen por edhe në malet përreth”, thotë një varkëtar.

Kjo verë pritet të shtojë për qytetin jo vetëm turistët, por edhe aktivitetet kulturore. Qysh në hapje të sezonit turistik, Komuna e Strugës ka marrë masat që të ofrojë një turizëm me më shumë aktivitete argëtuese dhe infrastrukturë më të mirë.

“Si administratë e Komunës kemi punuar që të kemi kushte më të mira për turizëm. Në kuadër të verës strugane do të jetë Festivali “Këngë Jeho”, në datat 7, 8 dhe 9 gusht. Përpara këtij, kemi themeluar edhe një festival tjetër, atë të teatros, filmit dhe dramës, që quhet Festivali “K’tu Fest”. Po bëjmë përpjekje që të përshtasim edhe infrastrukturën. Kemi rregulluar hyrjen e qytetit, një pedonale të re, një shëtitore përgjatë Drinit të Zi”, thotë Ziadin Sela, kryetari i Komunës së Strugës. 

Zënia e peshkut për shumë struganë përbën veprimtari ekonomike, për të tjerë, një pasion të cilit nuk mund t’i rezistosh…

Në liqenin e Ohrit spikat peshku i famshëm i koranit. Peshkatarët e shpien gjahun e tyre në restorantet e Strugës, aty ku mund të shijosh specialitete kulinarie, një vlerë e shtuar për ta vizituar këtë qytet. Pjata shumëngjyrëshe, gatime tradicionale, e deri tek kuzhinë ndërkombëtare.

Struga, qyteti i urave të shumta, të fton të zhytesh në ndjesi që me gjasa, gdhenden për shumë kohë në kujtesë.

Top Channel