Artizanët mirditorë të Butrintit

03/08/2015 00:00

Mbi 30 familje të fshatit Shëndëlli, pak kilometra larg Butrintit, jetojnë me të ardhurat nga shitja e suvenirëve dhe prodhimeve artizanale të traditës, që i tregtojnë në Parkun Kombëtar të Butrintit.

Banorët, shumica nga Mirdita, por edhe nga zona të tjera të veriut të Shqipërisë, u vendosën këtu vite më parë, si punëtorë të plantacioneve me mandarina e fushave të mbjella me bostan, por më pas ndërtuan shtëpitë e tyre mbi kodrën e kishës së Shëndëllisë, duke krijuar edhe fshatin me të njëjtin emër.

Andrea Ndoj, njëri prej djemve të rinj që merret me punime artizanale thotë se jeta është e vështirë dhe se kjo punë përbën tani të vetmet të ardhura për familjen e tij. Imitojmë mozaikët e Butrintit sipas stilit me pika, sqaron Andrea, i cili i ka studiuar me detaje mozaikët, sidomos atë të pagëzimores që shfaqen në shumë prej punimeve. Materialet, kryesisht gurë dhe dru, grumbullohen në natyrë, latohen dhe më pas hidhet motivi. Për një suvenir të vetëm Andrea shpenzon gati 4 orë. Ai thotë se koha dhe kërkesat kanë bërë që të shtohen motivet dhe përmasat e objekteve që tregtohen.

“Mund të shiten 4-5 euro, varet nga madhësia dhe zbukurimi që ti bën”, thotë Andrea.

Por, në Butrint, krahas mozaikëve të risjellë në copa guri, druri apo të qëndisura me dorë, vijnë edhe motivet e veriut të Shqipërisë në shalle, çorape dhe pjesë të veshjeve ceremoniale. Prena Mrruku thotë se të gjitha ngjyrat e natyrës mund t’i mbledhësh brenda një punimi me shtiza të çorapeve për gra të Mirditës. Ajo mësoi ta bënte këtë punim që kur ishte fëmijë, kohë kur në vend të shtizave ende përdorte thupra druri.

3 persona nga familja e saj punojnë për orë të tëra motive të vjetra e të reja. Prena thotë se objektet që ajo përdor për përpunimin e leshit janë mbi 200-vjeçare dhe i solli me vete nga Mirdita kur vendosi të jetonte në Shëndëlli.

“Të huajt i pëlqejnë shumë këto punime. Ka dhe shqiptarë që i blejnë për njerëzit që kanë jashtë shtetit”, shprehet gruaja.

Në Shëndëlli, fshatin e krijuar 2 dekada më parë me banorë të Mirditës, Dibrës e Pukës, mungojnë shërbimet elementare përsa i përket lehtësive të jetës së përditshme, por ndihma që ofroi një fondacion katolik krijoi këtu të parën qendër të trajnimeve në fushën e artizanatit. Pas krijimit të qendrës, pak vite më parë, gjithnjë e më shumë familje u prirën të ngrenë stendat me punimet e tyre në Butrint.

Të ardhurat sipas tyre janë 3 herë më të larta se në fillim duke u dhënë shpresë se mund të jetohet me to.

Top Channel