Bota magjike plot ngjyra, e 15-vjeçarit autik Nikola Troqe

06/04/2015 00:00

Nuk ndodh shpesh, që një 15-vjeçar të çelë një ekspozitë personale pikturash dhe vizatimesh. Por për Nikola Troqen, nxënësin e klasës së 9 në shkollën “At Zef Pllumi”, në Tiranë, kjo është e merituar.

Ai është një talent në këtë fushë dhe, ndonëse i diagnostikuar me autizëm, kufizimi nuk e ka penguar madje as të fitojë çmime në disa konkurse, ku ka marrë pjesë. Nga ana tjetër, edhe mësuesit e tij gjejnë stimuj dhe mënyra për të motivuar talentin e Nikolës.

“Nuk dimë si ta vlerësojmë punën e tij artistike kaq të bukur. Ndaj, me modestinë tonë mundohemi të hapim ekspozita, që ta motivojmë. Ai është një djalë që jep shumë”, tha Rudina.

Këtë të hënë, ekspozita e Nikolës është vizituar nga të gjitha klasat e shkollës së tij dhe ai, me durim e qetësi udhëheq drejt botës së tij artistike, duke dhënë shpjegime për secilën prej punëve të varura në mur.

Nikola arrin të befasojë jo vetëm në pikturë, por edhe në fusha të tjera.

“Ishte një ndër ditët, kur ne kishim marrë një këngë dhe unë i them atij nëse do ta këndonte strofën e parë, dhe ai më tha po. Fillimisht nuk e prisja, mendova se me qetësinë e tij do të thoshte jo tani, por pak më vonë. Ai e këndoi strofën dhe, të them të drejtën më befasoi, sepse ishte shumë i intonuar” tha Suzana, kujdestarja e tij.

Përveç artit, Nikola është shumë i mirë në matematikë dhe informatikë. Dhe të gjitha këto prirje i ka zbuluar rrugës, thonë mësuesit, pasi 3 vite më parë, kur ai iu bashkua shkollës “At Zef Pllumi”, gjërat nuk ishin shumë të lehta.

“Fillimisht e pati të vështirë të ambientohej me nxënësit e tjerë të klasës dhe mësuesit, por me ndihmën dhe mbështetjen e të gjithëve ia ka dalë. Ishin disa veprime të thjeshta fillimisht që e bënë atë të mësohej, sikurse dhe të pranishmit të mësoheshin me sjelljen e tij”, tha Suzana, nëndrejtore e shkollës.

Në disa prirje, Nikola është në avantazh ndaj moshatarëve të tij. Në disa të tjera, kufizimi në zhvillim krijon hendeqe komunikimi midis tij dhe të tjerëve. Megjithatë, bota e tij e brendshme transmeton shumë më shumë sesa dikush tjetër do të mundej.

“Gjatë këtyre viteve ka demonstruar se ka vlera shumë të mëdha brenda tij”, tha Suzana.

Top Channel