Bashkia e Tiranës, letër Canit: Të kalojnë të ardhurat nga biznesi i vogël

30/03/2015 00:00

Bashkia e Tiranës, nëpërmjet një letre të nënkryetarit të saj, Eno
Bozdo, drejtuar Ministrisë së Financave i ka shprehur shqetësimin për
moskalimin në llogarinë e Bashkisë të ardhurat nga biznesi i vogël.

Sipas një njoftimi dërguar në media, Bashkia sqaron se në llogarinë e saj duhet të derdhej shuma prej 28.110.216 lekë, por deri më sot nuk ka pasur asnjë veprim apo sqarim në këtë drejtim.

Po ashtu, në njoftim thuhet, se kjo vonesë ka krijuar një mungesë të ardhurash në masën 150.000.000 lekësh, sipas parashikimit në buxhetin e Bashkisë.

Në letrën dërguar ministrit të Financave i kërkohet të marrë sa më shpejt në konsideratë kërkesën tepër emergjente, për plotësimin e procedurave dhe kalimin e detyrimit të tatimit të thjeshtuar të fitimit në interes së Bashkisë.

“Çdo vonesë në realizimin e këtyre të ardhurave bën të mundur mosplotësimin e angazhimeve dhe detyrave që ne kemi për qytetarët dhe qytetin e Tiranës. Duke shpresuar se këto veprime nuk janë në vazhdën e angazhimit total të çdo strukture të shtetit për të bllokuar punën e Bashkisë së Tiranës,  jemi në pritje të reagimit nga ana juaj”,  thuhet në shkresën drejtuar ministrit të Financave.

Top Channel