Të huajt: Tirana, qytet me shumë dashuri, por pak cilësi

25/03/2015 00:00

Njollat e gjelbërta në Tiranë janë kthyer si oazet në shkretëtirë. Në qytetin, që deri në fund të viteve ’70 kishte 60 metra katror gjelbërim për çdo banor, betoni ka përpirë pothuajse gjithçka.

Sot për çdo banor ka rreth 2 metër katror gjelbërim, ndërkohë që, sipas rregullores së Urbanistikës, norma minimale duhet të jetë 7 metër katror për frymë. Duke i shtuar cilësinë e keqe të karburanteve dhe automjetet e vjetra, që qarkullojnë çdo ditë në Tiranë, e bëjnë këtë të fundit një nga kryeqytetet me ajrin më të ndotur në Europë.

Kjo është edhe një nga arsyet, se përse Tirana është cilësuar si një nga vendet me cilësinë më të ulët të jetës në Europë, sipas një studimi të publikuar disa ditë më parë nga kompania “Mercer”, që kryen çdo vit studime për nivelin e jetesës.

Nga 230 qytete në gjithë botën, ku u zhvillua ky studim, Tirana zë vendin e 180. Për të bërë këtë klasifikim nuk është marrë për bazë vetëm kriteri mjedisor, por edhe mjedisi politik e shoqëror, mjedisi socio-kulturor, konsideratat mjekësore dhe shëndetësore, shkolla dhe edukimi, shërbimet publike dhe transporti, zbavitja, mallrat e konsumit, strehimi dhe ambienti ekonomik.

Pavarësisht se Tirana renditet në vendet e fundit të klasifkimit të “Mercer”, ka nga ata të huaj që kanë zgjedhur të jetojnë këtu si Carmen, Adriano dhe Massimiliano.

Carmen ka braktisur kryeqytetin e Afrikës së Jugut, Cape Toën, për të punuar si edukatore në një kopësht në Tiranë. Këto 6 muaj jetesë në kryeqytet, ajo i cilëson si një marrëdhënie dashurie dhe urrjetjeje, në të njëjtën kohë.

“Dashuri, nga ngrohtësia dhe miqësia e njerëzve. Kur eci në rrugë nuk kam frikë se dikush do të më vjedhë, ndërsa kjo ndienjë më shoqëron gjatë gjithë kohës në qytetin tim të lindjes. Ndërsa urrejtje, është ndienja e klaustrofobisë, që të krijohet kur ngre kokën lart. Shikon kudo kabllo dhe vetëm ndërtesa. Më mungon hapësira të shoh male. Pastaj, janë edhe mbeturinat nëpër rrugë”, tha Carmen.

Nëse Carmen ka ardhur me dëshirën e saj për të jetuar në Tiranë, dy të rinjtë nga Roma, Adriano dhe Massimiliano kanë ardhur të detyruar nga kompania e tyre. Ata i takuam në afërsi të stacionit të Trenit, të cilit tashmë i ka mbetur vetëm ndërtesa.

“Kam disa muaj që kam ardhur këtu, do të doja të shihja edhe qytete të tjera. Një rrjet hekurudhor do të ishte i dobishëm, por për fat të keq nuk ekziston”, tha Adriano.

Transporti është një nga kriteret, që është marrë në studim nga kompania “Mercer”. Massimiliano na tregon se ka udhëtuar disa herë me linjat e urbaneve në Tiranë, por thotë se duhen të përmirësohen, duke pasur edhe disa kritika të tjera.

“Nuk më pëlqen rrëmuja në trafik, ka më pak rregulla. Pusetat nuk kanë kapakë dhe disa herë kam rrezikuar të bie në to. Por edhe kabllot në ajër janë një shqetësim”, tha Max.

Të tre të rinjtë janë të mendimit se, Tirana plotëson më së mirë kriterin e jetës sociale dhe zbavitjes, sepse ka shumë të rinj dhe shumë lokale ku mund të pihet diçka dhe të kërcehet.

“Në Tiranë, jeta sociale është e pasur. Ka të rinj, bare shumë të mirë dhe restorante ku hahet shumë mirë”, tha Adriano.

“Në nivel social nuk mund të ankohesh. Ka shumë të rinj, shumë lokale të mira, ke mundësi të dalësh”, tha Max.

Pikërisht për të rinjtë tiranas, që mund të ndryshojnë diçka në qytetin e tyre, Carmen ka një këshillë.

“Nëse keni mundësi të udhëtoni dhe të shikoni diçka ndryshe, bëjeni, sepse nëse rrini në një vend nuk është mirë. Është e rëndësishmë të prekësh kultura të tjera dhe të shikosh çfarë të pëlqen, e më pas ta sjellësh në kulturën tënde”, tha Carmen.

Top Channel