Magjia e qiellit, të gjithë me sytë lart…

20/03/2015 00:00

Jemi apo jo supersticiozë, të apasionuar apo jo pas astronomisë, të gjithë i hodhëm sytë nga qielli gjatë paradites së sotme.

Eklipsi diellor u pa në shumicën e Europës, përfshirë Shqipërinë. Eklipsi në kryeqytet nisi në orën 09:40 dhe kulmi i tij ishte në orën 10:42, kur Hëna arriti në pikën maksimale të mbulimit të Diellit në vendin tonë.

Eklipsi përfundoi në orën 11:52, kur dhe Hëna u largua përfundimisht nga sipërfaqja e Diellit.

Megjithatë, edhe pse një dukuri normale, ngjarja astronomike ngjalli kureshtje të madhe te njerëzit. Së pari, sepse disa shkencëtarë thonë se, ekspozimi i syrit të lirë gjatë kohës së zhvillimit të eklipsit mbi objekt është e rrezikshme. Ndaj, u këshillua që ai të mos shikohej me sy të lirë për një kohë të gjatë, pa mjete mbrojtëse.

E nga ana tjetër, larg komenteve dhe këshillave shkencore, profecitë anembanë botës kanë rikthyer edhe njëherë për njerëzit frikërat mbi teorinë e fundit të botës. Pastori Mark Blitz ka deklaruar se eklipsi diellor i kësaj të premteje mund të shënojë fillimin e ditës se gjykimit.

Kësaj deklarate, ai i shton edhe argumentin se dy javë pas eklipsit do të zhvillohet fenomeni i eklipsit hënor, çka është pjesë e tetradës së hënave të përgjakta. Dhe shumë persona, ashtu sikurse pastori Blitz, i kanë lidhur këto ngjarje kozmike me paralajmërimin për fundin e botës.

Gjithashtu, këtyre koinçidencave u shtohet edhe ngjarja e ekuinoksit të pranverës, në datën 21 mars, një përkim i rrallë që ndodh një herë në 100,000 vjet. Dhe, sipas Blitz, kjo tregon se Europa do të përfshihet nga trazira të shumta.

Pas gjithë këtyre dukurive astronomike, më 13 shtator të këtij viti do të ndodhë edhe një tjetër eklips diellor, por këtë herë i pjesshëm, i cili do të pasohet nga hëna e katërt e përgjaktë, e cila do të zhvillohet më 28 shtator, duke mbyllur kështu tetradën e hënave të kuqe.

A do të vërtetohen profecitë e frikshme të përfolura deri më tani me përfundimin e kësaj tetrade? Tashmë që jemi në gjysmën e kohës së ciklit të tyre, ju mund ta gjykoni vetë nëse ndonjë gjë e jashtëzakonshme ka filluar të ndodhë…

Top Channel