Makina pa shofer, realitet në 2020

19/03/2015 00:00

Në 2020 makinat që nuk do të kenë nevojë për drejtues, por do të jenë në gjendje të ecin dhe orientohen vetë në trafik do të jenë një realitet.

Ky është zotimi i kompanisë amerikane “Google”. Pas profecisë së Elon Musk mbi makinat ‘autonome’, që tha se në një të ardhme jo fort të largët makinat pa drejtues do të jenë realitet në rrugë, madje edhe pjesë e legjislacionit, kreu i projektit “Google Car”, Chris Urmson përkufizon më saktë “të ardhmen e afërt”.

Urmson siguroi pjesëmarrësit në një konferencë mbi teknologjinë në Vankuver të Kanadasë se hapi gjigant është gati për t’u shndërruar në standard brenda pesë viteve.

“Në 2020 im bir do të mbushë moshën për provimin e lejes së drejtimit të automjetit. Po punojmë fort që ai të mos e ketë të nevojshme kryerjen e këtij testimi”, tha me shaka Urmson.

Urmson, ashtu si edhe Musk ndajnë të njëjtin qendrim sa i përket makinave pa shofer kur thonë se ato do të rrisin cilësinë e jetëës për njerëzit, por edhe do të reduktojnë ndjeshëm numrin e aksidenteve.

“Rreth 1 milion e 200 mijë njerëz vdesin çdo vit si pasojë e aksidenteve në mbarë botën”, u shpreh Urmson.

“Google” prezantoi vitin e kaluar projektin e vet për makinë pa drejtues. Prototipi është një makinë elektrike pa sistemet tradicionale dhe me sensorë të panumërt që kontrollojnë lëvizjet e mjetit. Deri më tani makina ka kryer mbi 1 mijë kilometra dhe testet vazhdojnë.

Top Channel