Dhuna në novelat grafike kalon kufijtë

19/03/2015 00:00

Do të mbahet mend si një ndër momentet më të paharrueshme në historinë e novelave grafike, por për kritikët këtë herë ilustruesit e kishin kaluar cakun.

Ndaj dhe kompania amerikane “DC Comics” tërhoqi kopertinën e dhunshme të edicionit të ardhshëm të sagës “Batgirl”, ku heroina kërcënohej nga një prej kriminelëve më të njohur, Joker.

Në atë që tani mund të quhet ish-kopertina, Batgirl shfaqej e lyer me gjak në fytyrë dhe e tmerruar deri në palcë nga kundërshtari i saj.

Ilustrimi u shfaq javën e kaluar në Shtetet e Bashkuara, por debatet mbi përmbajtjen e tij kanë vazhduar deri më sot. Hashtagu në rrjetin social Twitter, “changethecover”, është mbushur me postime që nga momenti i publikimit.

Është një variant, ose një koptertinë opsionale, që synon të tërheqë vëmendjen e koleksionistëve, por që nuk duhet të jetë kopertina më e spikatur në vitrinat e dyqaneve, vlerësuan kritikët.

Në mediat amerikane qarkullojnë zëra se stafi që do të realizionte edicionin e radhës të aventurave të heroinës do të shkonte edhe më tej me aktet e dhunës.

Kjo, pasi thuhet se Joker e rrëmben Batgirl, e rreh në mënyrë brutale dhe madje e dhunon edhe seksualisht. Kritikat ndaj kopertinës morën dhenë brenda pak ditësh, por në rrjetet sociale pati edhe nga ata që e pëlqyen duke e mbështetur versionin.

Top Channel