Kosovë, deputetë të Komisionit të Ligjeve, vizitë në burgje

09/03/2015 00:00

Deputetët e Komisionit për Legjislacion në Kosovë kanë gjetur shumë parregullsi në burgun e Dubravës, gjatë një vizite që kanë bërë në pavionet ku ndodhen qindra të burgosur kosovarë.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, deputetja Albulena Haxhiu tha se janë të habitur nga fakti se, ka qytetarë që janë arrestuar para shumë viteve dhe ende mbahen në paraburgim, pa u gjykuar, madje bashkë me të dënuarit.

“Pra ka pasur raste, kur janë në paraburgim që prej 5 ose 6 vitesh, gjë që është në kundërshtim të plotë  edhe me ligjet e aplikueshme, mirëpo edhe me ato ndërkombëtare. Mosfunksionimi i institucionit të faljes ka sjellë këtë situatë dhe ju e dini, që institucioni i faljes është kompetencë e Presidentes së Republikës së Kosovës, por ai nuk po funksionon”, tha Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacion.

Deputetët, që kanë qëndruar në burg për të parë gjendjen nga afër, thanë se janë habitur me njohuritë që kanë parë te të burgosurit për legjislacionin dhe kodin penal.

Komisioni për Legjislacion ka vendosur që të vizitojë edhe pavione të tjera nëpër burgjet e Kosovës, madje edhe ato pavione ku qëndrojnë dëshmitarë të rasteve të ndjeshme të drejtësisë.

“Gjithashtu, ju njoftoj se kam pranuar një ftesë tjetër nga një dëshmitar i mbrojtur dhe që ka kërkuar nga Komisioni për Legjislacion, sa më shpejt të jetë e mundur, që të realizojë edhe një vizitë tjetër në pavionin “D”, ku qëndrojnë dëshmitarët e mbrojtur”, tha Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacion.

Komisioni për Legjislacion, në mbledhjen e së hënës miratoi edhe një kërkesë, përmes së cilës i kanë kërkuar Agjencisë kundër Korrupsionit, që brenda këtij muaji t’i dërgojnë deklarimet e pasurisë së zyrtarëve të lartë të saj.

Top Channel