Itali, vrasësi i mafias diplomohet për herë të tretë

02/03/2015 00:00

Ishte viti i vështirë 1992, viti kur humbën jetën prokurorët Falcone dhe Borsellino, kur Dario Troni kreu ekzekutimet e para. Ai ishte vetëm 19 vjeç kur në mënyrë të pamëshirshme ekzekutoi një tregtar dhe një rival.

Ishin vitet e luftës së mafias së Sirakuzës, në Siçili, dhe djaloshi kishte fituar me shpejtësi reputacionin e një vrasësi të pagabueshëm.

Por me arrestimin që pasoi, vetëm pak muaj pas vrasjeve, gjërat ndryshuan. Gjatë qëndrimit në burg, Troni u apasionua pas studimeve dhe sot, në moshën 43-vjeçare, është diplomuar për herë të tretë me vlerësime maksimale.

Ish-vrasësi i mafias, i dënuar me burgim të përjetshëm, mori diplomën e re javën e kaluar, duke u shpallur doktor në Shkenca Komunikimi.

Teza e tij me titull “Komunikimi dhe socializimi në ambjentet e burgut” mori notë maksimale dhe lavdërime, duke iu shtuar dy të tjerave përmes të cilave mori diplomën në Ekonomi, në vitin 2007 dhe në Shkenca Politike, në vitin 2010.

Teza e tij u diskutua përmes në një video-konferencë të realizuar me Skype, nga burgu i Palianos, në rajonin e Lacios, ku ndodhet 43-vjeçari, i kthyer prej kohësh në bashkëpunëtor të drejtësisë. Në përfundim të seancës nuk munguan duartrokitjet e familjarëve të tij dhe të operatorëve të burgut.

Në vitet e fundit në rajonin e Lacios, investimet në favor të proceseve arsimore në burg janë rritur ndjeshëm, duke mos lënë që të dënuarit të bien në dëshpërimin e qelisë.

Top Channel