Burri me qerpikë që janë zilia e grave

02/03/2015 00:00

Një burri ukrainas i janë rritur qerpikët shumë falë një ushqimi të caktuar dhe ka vendosur që t’i masë për të hyrë në Librin e Rekordeve Guiness. 58-vjeçari Valery Smagliy do i presë pasi t’i masë sepse qerpikët e gjatë i lodhin qepallat e syve dhe në të njëjtën kohë e pengojnë të shohë.

Valery nuk ka pranuar të zbulojë se çfarë ushqimi i ka shkaktuar këtë rritje, për të cilën të gjitha femrat që takon janë ziliqare.

“Nisa të haja diçka dhe vura re që qerpikët më rriteshin shumë shpejt. Nuk e them se çfarë ha”, deklaroi 58-vjeçari për mediat lokale.

Rekordi për qerpikët më të gjatë mbahet nga amerikani Stuart Muller, të cilit qerpikët 6.99 cm të gjatë iu matën në vitin 2007. Burri ukrainas nuk i ka kaq të gjatë, por thotë se do të kënaqet me rekordin europian.

“Mund t’i zgjas për të thyer rekordin botëror, por çfarë kuptimi ka? Mërzitem kur njerëzit nuk e kanë mendjen te ato që them, por te qerpikët. Do i pres menjëherë pasi t’i mas”, u shpreh ukrainasi.

Top Channel