Ekspertët: Serbia s’ka pretendime ligjore mbi Trepçën

29/01/2015 00:00

Pretendimet e Serbisë mbi ndërmarrjen e Trepçës nuk kanë bazë ligjore dhe janë të natyrës politike, të njëjta me pretendimet mbi shtetin e Kosovës. Kjo, pasi me pakon e Ahtisarit, mbi bazën e të cilës Kosova shpalli pavarësinë, pasuritë e shtetit nuk i takojnë një shteti tjetër.

Çështja bëhet më e ndërlikuar për faktin se Trepça ka seksionet e saj në veri të cilat kontrollohen nga Beogradi, arsye për të cilën qeveria duhet të tregohet e kujdesshme. Ky është vlerësimi i ekspertëve të ekonomisë në Kosovë dhe atyre që kanë bërë studime për statusin pronësor dhe të ardhmen e Trepçës.

“Natyrisht që kjo çështje nuk është aq e thjeshtë, sidomos kur Serbia kontrollon një pjesë të asetit në veri nëpërmjet strukturave paralele. Pra, kontrollon rreth tre mijë punëtorë. Por ligjërisht këto pretendime janë aq të pavlefshme sa edhe pretendimet e saj për zhbërjen e pavarësisë së Kosovës, që për mua janë baraz me zero”, deklaron Lumir Abdixhiku, drejtor i institutit Riinvest.

Ndërsa Agron Demi, nga Instituti për Politika të Avancuara, kujton se Serbia ka kundërshtuar përherë privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, duke e ngritur çështjen edhe në Këshillin e Sigurimit. Por, në mungesë të bazës ligjore ajo nuk ka pasur sukses.

“Serbia ka kundërshtuar privatizimet e të gjitha ndërmarrjeve të Kosovës. Madje ka protestuar edhe në Këshillin e Sigurimit kur kanë nisur këto procese. Por, pasi nuk e ka arritur këtë objektiv ligjërisht në arenën ndërkombëtare, po mundohet të ndalojë privatizimin e Trepçës dhe Brezovicës, apo futjen e tyre në pronësi publike. Insistimi i saj, duke pasur parasysh se ka ndihmën e serbëve lokalë, është më tepër një përpjekje që të bllokojë qeverinë e Kosovës sesa një e drejtë ligjore që ajo ka mbi Trepçën dhe Brezovicën. Ky është më tepër një problem që ka të bëjë me serbët lokalë, me të cilët qeveria e Kosovës nuk ka arritur të dialogojë. Praktikisht këto dy ndërmarrje janë më problematike se të tjerat, pasi në terren ato mund të bllokohen nga serbët lokalë”, thotë Demi.

Ndonëse ende nuk është miratuar, analistët kërkojnë nga qeveria që ta ndryshojë ligjin për ndërmarrjet publike, sipas të cilit komunat do të gëzojnë të drejta mbi njësitë e ndërmarrjeve shoqërore.

“Nëse nëpërmjet ligjit kërkohet ndërhyrja e komunave apo pëlqimi i tyre, atëherë për hapjen e një ndërmarrjeje të re publike krijohet një autoritet i ri ekzekutiv. Bëhet fjalë për një autoritet të papreçendent në Kosovë, sepse është e pakuptimtë që një aset i gjithë popullit të jetë peng e vendimmarrjes së një pjese të territorit, në këtë rast veriut. Pra, është një praktikë e pazakontë. Ne nuk pyesim banorët e Prishtinës për privatizimin e PTK-së, nuk pyesim banorët e Obiliqit për privatizimin e KEK-ut, apo banorët e Lipjanit për privatizimin e aeroportit. Pra, vendndodhja e një ndërmarrjeje publike nuk i bën banorët e asaj zone dhe komunat vendimmarrëse. Është diçka kombëtare”, sqaron Abdixhiku.

“Nuk duhet të lejohet që komunat veriore të jenë pjesë e procesit të privatizimit apo shtetëzimit të Trepçës, sepse nuk ka ndodhur me ndërmarrje të tjera, si KEK-u, ku nuk është pyetur fare komuna e Obiliqit”, shton Ademi.

Ndryshimet e fundit ligjore të cilat pritet të kalojnë në Kuvend u bënë pasi qeveria u tërhoq nga vendimi që ta shndërrojë Trepçën në ndërmarrje publike. Ndonëse u mohua ndikimi i Serbisë, ndryshimet erdhën pas deklaratave publike të kryeministrit serb se statusi pronësor i Trepçës nuk mund të ndryshojë.

Top Channel