Vera e angazhuar e udhëheqësit

27/08/2014 00:00

Ndërsa gushti për shumë nga udhëheqësit perëndimorë është një muaj pushimesh apo ulje e aktiviteteve të tyre politike, krejt e kundërta ndodh për “liderin e dashur” koreano-verior, Kim Jong Un.

Agjencia shtetërore e lajmeve e vendit komunist, KCNA publikoi fotot nga vizitat e dikatorit në disa fabrika të vendit, që shihen si simbole të zhvillimit dhe përparimit të socializmit në vendin më të izoluar të botës.

I shoqëruar si zakonisht nga një “togë” ushtarësh, por edhe nga punonjësit e fabrikave, që gjatë gjithë kohës mbanin shënime për të mos humbur asnjë “këshillë apo udhëzim” të liderit të tyre, Kim Jong Un u shfaq i qeshur mes prodhimeve të një fabrike biskotash.

Koreja e Veriut cilësohet si vendi më i izoluar në botë. Shpresat për një ndryshim kursi pas vdekjes së Kim Jong il, babai i Kim Jong Un, i venitën shpejt. Disa muaj diktatori i ri, që besohet se është diku tek të 30-tat shfarosi disa prej ndihmësve të tij dhe vala e terrorit dhe e ekzekutimeve në vend ndaj personave që vlerësohen si kërcënim për regjimin është mbajtur konstante.

E ndërsa udhëheqja komuniste trumpeton sukseset në të vetmin televizion në vend pjesa më e madhe e njerëzve në Korenë e Veriut jetojnë në kushtet e një varfërie ekstreme. Besohet se çdo vit të paktën 6 milionë vuajnë urinë dhe shifrat vazhdojnë e rritën për shkak të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura si pasojë e programit bërthamor të Penianit.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel