Temperaturat e larta të këtyre ditëve kanë rritur numrin e personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Por të shumtë kanë qenë ata të cilët kanë shfaqur probleme gastrointestinale për shkak të kontaminimit të ushqimeve që kanë konsumuar në restorante apo lokalet në zonat bregdetare ku janë duke pushuar.
Skënder Brataj, Drejtor i Qendrës Kombëtare të Urgjencave shprehet se “17.4 % e personave që janë drejtuar në qendrat verore kanë pasur probleme gastrointestinale”
Dr. Brataj u bën thirrje subjekteve që ofrojnë shërbim në zonat bregdetare dhe jo vetëm, të bëjnë kujdes me zinxhirin ftohës të produkteve ushqimore, qofshin restorante apo ato që tregtojnë mish dhe peshk.
“Ka shumë rëndësi zinxhiri ftohës. Pasi toksinat shtohen shumë shpejt në këto temperatura. Brenda 1-3 orë fillojnë të vjellat”, shprehet ai.
Sipas Brataj, në rast të helmimit nga ushqimi është shumë i rëndësishëm rehidratimi.
“Nga të vjellat e diarreja, humbim elektrolitet, të cilat duhen zëvendësuar, pasi dehidratimi shkakton pasoja të rënda në organizëm”, thekson Brataj.
Të njëjtin kujdes duhet të bëjnë edhe amvisat në shtëpi kur përdorin produkte ushqimore të ngrira apo të tjera që kërkojnë të ruhen në një temperaturë të caktuar.
Top Channel