Sozia e Tom Cruise “pushton” fushën e San Francisco Giants, fansat mbeten të habitur: A është vërtet ai?

10/08/2026 09:47

Një sozi e Tom Cruise vodhi vëmendjen gjatë një ndeshjeje të San Francisco Giants, pasi u shfaq në fushë për të hedhur topin e parë, i veshur si personazhi Pete “Maverick” Mitchell nga filmi i famshëm “Top Gun”.

Paraqitja e tij ishte pjesë e festimeve për 40-vjetorin e filmit, por ngjashmëria e jashtëzakonshme me aktorin hollivudian bëri që disa fansa fillimisht të besonin se përballë tyre ishte vetë Tom Cruise.

“A është vërtet Tom Cruise?”, pyeti një person, ndërsa një tjetër komentoi në Instagram se ai kishte imituar në mënyrë perfekte pamjen, të qeshurën dhe buzëqeshjen e aktorit.

“Ky djalë duket më shumë si Tom Cruise sesa vetë Tom Cruise… Mendova se ishte IA”, shkroi një tjetër komentues. Ndërsa një tjetër, i hutuar nga ngjashmëria, pyeti: “A është ai sozi apo është IA? Nuk mund ta kuptoj më”.

Sozia quhet Jerome LeBlanc dhe njihet me nofkën “Tom Cruise i Kalifornisë”. Ai ka treguar më herët se e zbuloi rastësisht mundësinë për ta kthyer ngjashmërinë me yllin e “Risky Business” dhe “Top Gun” në profesion.

“Kur u transferova nga Montreali në Los Angeles, njerëzit filluan të më thoshin se dukesha si Tom Cruise. Kështu që vesha uniformën e pilotit nga ‘Top Gun’ dhe u përpoqa të bëja shfaqje në rrugë. Për habinë time, shkoi jashtëzakonisht mirë. Po fitoja më shumë para sesa po fitoja duke punuar si barist”, ka rrëfyer LeBlanc në një intervistë për Cockpit USA.

Ai ka sqaruar se njerëzit zakonisht nuk e ngatërrojnë drejtpërdrejt me Tom Cruise, edhe për shkak të diferencës së moshës prej gati 30 vitesh mes tyre. Megjithatë, LeBlanc thotë se shpesh njerëzit kthehen për ta parë sërish dhe i afrohen për t’i thënë se sa shumë i ngjan aktorit.

Sot, sozia ka krijuar edhe një prani të konsiderueshme në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, ku ndiqet nga më shumë se 770 mijë persona.

Top Channel