“Hynë fshehurazi në pajisjet e bashkëpunëtorëve të mi”/ Ariana Grande padit hakerët për publikimin e muzikës dhe materialeve të papublikuara

28/07/2026 20:34

Këngëtarja amerikane Ariana Grande ka ngritur padi kundër dy hakerëve të paidentifikuar, të cilët i akuzon se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në pajisjet e bashkëpunëtorëve të saj dhe kanë vjedhur e publikuar muzikë, fotografi dhe video të papublikuara.

Sipas padisë së depozituar në Los Angeles, materialet e vjedhura janë shitur më pas në rrjetin e errët për shuma të konsiderueshme parash.

Në dokumentet gjyqësore thuhet se vetëm gjatë vitit 2023 janë hakuar, vjedhur dhe publikuar 45 këngë të papublikuara të artistes. Avokatët e saj theksojnë se rrjedhje të ngjashme kanë ndodhur vazhdimisht që nga debutimi i Grandes në vitin 2011 dhe se synimi i padisë është identifikimi dhe mbajtja përgjegjëse e autorëve.

Sipas padisë, në vitin 2025 hakerët kanë fituar akses në telefonin celular të një producenti që bashkëpunonte me Granden, duke marrë master-e, demo dhe pamje të papublikuara nga seancat e regjistrimit.

Një vit më herët, ata dyshohet se u paraqitën si fotografë përmes një adrese të rreme elektronike dhe arritën të siguronin fotografi të papublikuara të artistes nga një teknik dixhital.

Grande i akuzon të dyshuarit për shkelje të privatësisë, shkelje të ligjeve të Kalifornisë për hakimin e sistemeve kompjuterike dhe përvetësim të paligjshëm të materialeve.

Në padi, ajo thekson se veprimet e tyre kanë dëmtuar jo vetëm karrierën e saj, por edhe besimin që ekziston mes artistes dhe fansave.

Këngëtarja kishte reaguar më parë publikisht ndaj publikimit të materialeve të papërfunduara. Në një intervistë të vitit 2024, ajo komentoi rrjedhjen e këngës “Fantasize”, duke deklaruar me ironi se autorët e publikimit “do t’i shihte në burg”, ndërsa i quajti ata “piratë” dhe “mashtrues”.

Top Channel