Vdekja tragjike e ish-anëtarit të One Direction, e dashura e Liam Payne heq tatuazhet e bëra për të: Vendosa që…

31/07/2026 19:50

Kate Cassidy, e dashura e ndjerë e këngëtarit Liam Payne, ka shpjeguar arsyen pse ka vendosur të heqë disa tatuazhe që kishte bërë në kujtim të ish-anëtarit të One Direction.

Influencerja 27-vjeçare publikoi një video në TikTok gjatë një seance për heqjen e tatuazheve me lazer, duke sqaruar se vendimi i saj nuk lidhet me humbjen e kuptimit emocional të tyre, por vetëm me mënyrën se si duken.

Cassidy theksoi se tatuazhet kanë ende një domethënie shumë të veçantë për të dhe se synon t’i realizojë përsëri në të ardhmen, por me një dizajn më të hollë dhe në një pozicion tjetër në dorë.

“Këto tatuazhe janë shumë të veçanta për mua. Do t’i bëj sërish, por do të jenë shumë më diskrete, me vija më të holla, si tatuazhet që kam në dorën tjetër, dhe do t’i vendos pak më poshtë”, tha ajo.

Pas disa komenteve në rrjetet sociale ku disa ndjekës pretenduan se heqja e tatuazheve nënkuptonte se ajo nuk e donte më këngëtarin, Cassidy reagoi duke sqaruar se arsyeja ishte vetëm estetike.

Ajo shpjegoi se kur i kishte bërë tatuazhet kishte menduar për një dizajn shumë minimalist, por rezultati përfundimtar kishte dalë më i theksuar nga sa dëshironte.

Sipas saj, ajo thjesht dëshiron që ato të realizohen nga një artist me më shumë eksperiencë në tatuazhet me vija të holla (fine line) dhe në një pjesë tjetër të dorës.

Në videon e publikuar fillimisht, Cassidy shihet duke hequr me lazer një palë krahë engjëlli që kishte në gishta, si dhe numrin “4”.

Më pas, përmes një postimi në Instagram, ajo bëri të ditur se po heq edhe tatuazhin “444”, duke shkruar:

“Vendosa të heq disa tatuazhe që nuk dolën mirë. Do t’i bëj përsëri në të ardhmen.”

Kate Cassidy kishte realizuar tatuazhet me krahë engjëlli rreth dy muaj pas vdekjes së Liam Payne, i cili ndërroi jetë në tetor të vitit 2024 pas një rënieje nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires, Argjentinë.

Tatuazhet ishin një mënyrë për të ruajtur kujtimin e këngëtarit, ndërsa Cassidy tani ka sqaruar se ndryshimi i tyre nuk prek aspak rëndësinë emocionale që kanë për të.

Top Channel