Vanessa Paradis njofton ndarjen nga bashkëshorti pas tetë vitesh martesë

09/08/2026 14:25

Pas 10 vitesh së bashku dhe tetë vitesh martesë, këngëtarja dhe aktorja franceze Vanessa Paradis dhe regjisori e shkrimtari Samuel Bensetrit kanë vendosur t’i japin fund lidhjes së tyre.

53-vjeçarja e bëri të ditur ndarjen të enjten, më 6 gusht, përmes një deklarate të shkurtër të dërguar nga menaxheri i saj për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP).

Në deklaratë bëhet e ditur se vendimi për t’u ndarë është marrë bashkërisht dhe se, pavarësisht fundit të martesës, të dy vijojnë të ruajnë respektin dhe dashurinë për njëri-tjetrin.

“Vanessa Paradis dhe Samuel Bensetrit njoftojnë së bashku ndarjen e tyre, duke ruajtur respektin dhe dashurinë që ende kanë për njëri-tjetrin”, thuhet në deklaratë.

Paradis dhe Bensetrit nisën lidhjen në vitin 2016 dhe u martuan më 30 qershor 2018 në Francë.

Vanessa Paradis e nisi karrierën në një moshë shumë të re dhe u bë e njohur ndërkombëtarisht si këngëtare me hitin “Joe le taxi”. Paralelisht, ajo ndërtoi edhe një karrierë të suksesshme në kinema, me një nga rolet e saj më të njohura në filmin romantik “L’Arnacoeur”, të vitit 2010.

Në jetën private, Paradis ka qenë në një lidhje shumëvjeçare me aktorin Johnny Depp, me të cilin ishte së bashku nga viti 1998 deri në vitin 2012. Çifti ka dy fëmijë, Lily-Rose dhe Jack Depp.

Para lidhjes me Bensetrit, ajo kishte qenë gjithashtu në një marrëdhënie me këngëtarin francez Benjamin Biolay.

Samuel Bensetrit është aktiv prej vitesh në kinema, teatër dhe letërsi. Si regjisor, ai ka drejtuar filma si “J’ai toujours rêvé d’être un gangster” dhe “Asphalte”, ndërsa ka punuar edhe në teatër. Ai është gjithashtu autor i disa librave, mes tyre “Reviens” dhe “La Nuit avec ma femme”.

Top Channel