Heqja e patentës, 208 shoferë në gjykatë

20/07/2014 00:00

Për tetë muaj, nga hapja e Gjykatës Administrative, janë shqyrtuar 208 kërkesa të qytetarëve, ndaj të cilëve policia rrugore e Tiranës ka vendosur gjoba, apo heqje të lejes së drejtimit për shkak të shkeljeve të rregullave, përgjatë qarkullimit rrugor.

Por, ndërsa në 108 raste gjykata i konsideron të drejta vendimet e komisionit të shqyrtimit të kundravajtjeve, për 40 padi, gjyqtarët i kanë dhënë të drejtë qytetarëve me argumente nga më të çuditshmet, që nga mungesa e dëshmitarëve, deri te kërkesa për pamje filmike dhe fotografi, që evidentojnë shkeljet.

TCH pasqyron një ndër vendimet, kur gjoba është konsideruar e padrejtë, me argumentin e gjykatës se drejtuesi i mjetit ka shënuar “nuk jam dakord” dhe se ai nuk ka firmosur. Në këtë rast evidentohet raporti i shërbimit të policisë, që konstaton se shoferi nuk e ka respektuar semaforin, por ky raport shërbimi nuk është marrë si provë.

Kërkesat e gjykatës për prova nga ana e policisë lidhen po ashtu edhe me argumente të tjera, sikurse gjetjen e dy dëshmitarëve që mund të firmosin, në rastet kur qytetari refuzon firmën, depozitim fotografish atëherë kur shoferi shkel semaforin apo parkon gabim, si dhe arsyetimi se drejtimi i mjetit në gjendje të dehur nga 03-04 përqind nuk parashikohet si kundërvajtje administrative.

Juristja e policisë së Tiranës, Entela Selmanaj, shpjegon për Top Channel.

“Në të gjitha rastet ku ka humbur drejtoria, gjykata nuk i ka marrë për bazë raportet e shërbimit që janë të firmosura nga një efektiv i policisë, i cili mban përgjegjësi për firmën dhe sqarimin e ngjarjes”, u shpreh Selmanaj.

Aktualisht, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë është hedhur shorti dhe pritet të shqyrtohen edhe 70 çështje, që kanë lidhje me gjobat dhe heqjen e patentës.

“Qytetarët në 108 raste kanë humbur gjyqet e nisura ndaj Drejtorisë së Tiranës. Gjykata e ka cilësuar si të ligjshëm vendimin e organit administrativ shtetëror dhe procesverbalin e konstatimit të shkeljes, e cila fillimisht ka qenë e pranuar edhe nga vetë shkelësit”, shtoi Selmanaj.

Referuar vendimeve të Shkallës së Parë, shkeljet kryesore për të cilat qytetarët gjobiten apo u hiqet patenta, kanë lidhje me mosrespektimin e semaforit, parkim i gabuar dhe drejtim i mjetit në gjendje të dehur.

Top Channel