Shqiptarët i blejnë ilaçet më shtrenjtë

16/07/2014 00:00

Shqiptarët i blejnë ilaçet më shtrenjtë se në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Një raport i Bankës Botërore thekson se nga totali i shpenzimeve që një shqiptar bën për shëndetin, 55% e tyre dalin kesh, shifër kjo më e larta ndër vendet e rajonit.

Por, sipas përllogaritjeve të bëra nga ekspertë të Bankës Botërore, nga paratë që dalin nga xhepi i qytetarëve 45% shkojnë vetëm për të blerë medikamente.

Deri në 3% e familjeve bien në varfëri si rezultat i shpenzimeve për shëndetin. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja tha se kjo ishte ndër arsyet kryesore që e çoi atë të ndërhyjë në ligjin e barnave.

“Nuk ka asnjë vend tjetër që të shpenzojë një të pestën e parave vetëm përbrenda shëndetësisë. Vendet e zhvilluara janë tek 70 për qind. Janë 30 milionë dollarë që janë në dispozicion të tregtimit me shumicë të barnave. Këto para, në mënyrë jo të drejtë janë kosto e shqiptarëve. Konstatimi ynë përkon me gjetjet e raportit, kemi barna më të shtrenjta se vendet e rajonit”, deklaroi Beqja.

Në raportin e Bankës Botërore thuhet se mbrojtja financiare e familjeve kundrejt pagesave nga xhepi është relativisht e dobët dhe cilësia e kujdesit shëndetësor mbetet një shqetësim i madh.

Shpenzimet publike në Shqipëri për shëndetësinë në vitin 2013 ishin vetëm 2.6% e GDP-së. Por nga ana tjetër shpesh pacientët nuk diagnostikohen mirë ose marrin trajtimin e gabuar dhe me doza të larta të medikamenteve, theksohet në raport.

Drejtori i fondit të kujdesit shëndetësor, Astrit Beci tha se për shtrenjtimin e ilaçeve në Shqipëri kontribuojnë mjekët, të cilët përshkrujanë në receta ilaçe të shtrenjta, duke i akuzuar ata për lidhje abuzive me kompanitë farmaceutike.

Ndërsa përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Tahsein Sayed vleresoi reformën e ndërmarrë në sektorin faramceutik, që sipas saj do të ndikojë në rritjen e efiçencës dhe cilësinë e shërbimeve spiatlore.

Banka Botërore vuri thkesin në disa pika kyçe. Sipas saj, krahasimet e çmimeve me vendet e tjera të Ballkanit perëndimor tregojnë se Shqipëria ka potencial të madh për të reduktuar çmimet e barnave.

Kufizimet nga ana e furnzimit mbeten një pengesë e madhe për realizmin e uljeve të mëdha të çmimeve të barnave, tha Sayed, gjë që i bën barnat të shtrenjta dhe të paarritshme për një grup të madh të popullsisë.

Objektiv kryesor, theksoi ajo, duhet të jetë reduktimi i nevlit të bashkëpagesave, krijimi i kursimeve dhe sigurimi i vlerës në këmbim të parave për shpenzimet publike të shëndetësisë për barna, rritja e aksesit ndaj barnave që shpëtojnë jetën, kontrollin e rritjes së shpenzimeve për barnat dhe garantimi i dhënies së barnave me recetë në mënyrë racionale. Përfaqësuesja e Bankës Botëtrore vlerësoi projektin e recetës elektronike që pritet të pilotohet së shpejti.

Top Channel