Për të forcuar luftën kundër produkteve false, që kanë pushtuar tregjet, qeveria parashikon ngritjen e Inspektoriatit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut.

Drejtori i Patentave dhe Markave, Elvin Lako, thotë se ky inspektoriat do të kontrollojë drejtpërdrejtë tregun, duke mos lënë evidentimin e rasteve të falsifikimeve vetëm në dorën e pronarëve të markave.

“Është një seksion që bën kontrollin, monitorimin, nuk lihet pra në dorën e pronarit, që të denoncojë rastin, por në bazë të kontrollit bllokohet malli dhe vendosen gjoba”, tha Elvin Lako, drejtor i Patentave dhe Markave.

Aktualisht, në Bordin e Apelimit pranë Drejtorisë së Patentave dhe Markave po trajtohen 10 ankesa për shkelje të së drejtës së pronësisë industriale.

Ndërkohë, për regjistrimin e produkteve bujqësore shqiptare, projektligji përfshin edhe Ministrinë e Bujqësisë, si organ që do të çertifikojë produktin, para se ai të kalojë për regjistrim.

Numri i markave shqiptare të regjistruara në vit, sipas Drejtorisë së Patentave dhe Markave, është 370.

Top Channel