Shea: Shqipëria, vend i dobishëm për NATO-n

05/04/2014 00:00

Jamie Shea, zëvendësndihmëssekretar i Përgjithshem i NATO-s thotë se
Shqipëria është tashmë një vend i sigurtë dhe se është nga anëtarët e
dobishëm të Aleancës Veriatlantike.

Ne nje interviste per Top Channel ai thote se vendi ka bere perparime te dukshme ne fushen e reformave dhe se NATO i keshillon Shqiperise te zhvilloje ne fushen e mbrojtjes, aftesite e specializuara te ushtrise, pasi per te tjerat Forcat e Armatosura mund te mbeshteten te Aleanca.  

Jamie Shea: Shqipëria nuk është më një vend i pasigurtë, e të gjithë e dimë këtë. Është një vend i dobishëm për mbrojtjen kolektive e solidaritetin dhe na kujton, sidomos tani që shohim situatën në Rusi e Krime, se detyra themelore e NATO-s qëndron së pari tek vlerat dhe siguria. Së dyti, na mban të përqendruar në Ballkan. Pas vitit 1999 NATO lëvizi nga Kosova drejt Afganistanit, Libisë e në zona të ndryshme jashtë Europës dhe mendoj se Shqipëria na kujton se tashmë kemi paqe në ish-Jugosllavi, por ka ende shumë punë të pambaruara, si çështja e pajtimit dhe e stabilitetit në Kosovë, zgjerimi i ardhshëm i NATOs me 3 vende kandidate për antarësim, forcimi i bashkëpunimit me Serbinë, etj.

Top Channel: Ka një debat politik në vend për kreun e Shërbimit Informativ. Si i vlerësoni marrëdhëniet me institucionet shqiptare që merren me çështjet e sigurisë?

Jamie Shea:
Shërbimi sekret është në përgjithësi i rëndësishëm për Aleancën, pasi ne duhet të shkëmbejmë shumë informacione të klasifikuara. Sigurisht që reformimi i Shërbimit Sekret, sjellja e tij në një nivel dhe standard të besueshëm, ishte parakusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancë 5 vite më parë. Por, ju tashmë jeni në NATO, çfarë nënkupton se duhet ta keni arritur atë standard. Sërish, edhe në këtë fushë, reforma është në vijimësi si për çdo demokraci. Ajo që NATO ofron është një forum ekspertize për t’u njohur me praktikën më të mirë dhe ndarjen e përvojave nacionale. Ne mund të krahasojmë dhe të testojmë sistemin tuaj me atë që ekziston në Gjermani, apo Francë, apo SHBA. Shqipëria mund të shfrytëzojë përparësinë për të përfituar nga përvoja e 27 vendeve të tjera rreth tryezës së Aleancës.

Top Channel:
A jeni të kënaqur me reformën e deritanishme në ushtrinë shqiptare?

Jamie Shea:
Absolutisht.NATO ofron këshilla për mënyrën më të mirë të ristrukturimit të forcave tona dhe për aftësitë ku mund të fokusohet Shqipëria. Duke marrë parasysh shtrenjtësinë e madhe të pajisjeve ushatarake, trysnitë mbi buxhetin e mbrojtjes si pasojë e rënies ekonomike në Europë dhe zërave të tjerë si arsimi e sigurimet shoqërore, Shqipëria nuk mund të mbulojë gjithçka. Ndaj NATO në kuadër të mbrojtjes kolektive këshillon për aftësi të specializuara, duke patur parasysh se mund të mbështetet tek Aleanca për të tjerat.

Përgatiti ARTA TOZAJ

Top Channel