20-vjeçari që u vra nga steroidët

03/04/2014 00:00

Një djalë i fiksuar pas “bodybuilding”, i cili kishte pasur dy herë atak në zemër për shkak të përdorimit të tepruar të steroidëve, ka vdekur në moshën 20-vjeçare pasi nuk ka pranuar të ndjekë këshillat e mjekëve për të ndalur stërvitjen, siç doli nga përfundimi i hetimeve.

Anglezi Oli Cooney ishte paralajmëruar nga doktorët në moshën 18-vjeçare se po rrezikonte jetën e tij duke mos i vënë kufij stërvitjes së rëndë dhe steroideve, por djali nuk ia kishte vënë veshin dhe familjarëve i thonte gjithmonë që ishte i “pathyeshëm”. Oli vdiq në 22 shtator të vitit të kaluar.

Pasi u shtrua për herë të parë në spital me dhimbje në gjoks, djali nuk i përdori më steroidët, por dëmi në zemër ishte bërë. Ai iu nënshtrua fizioterapisë pas dy krizave të zemrës dhe u rekuperua, por pasi doli nga spitali ai iu kthye stërvitjes së rëndë me pesha 3-4 herë në javë.

Tashmë, prindërit e të riut kërkojnë që nga e gjithë kjo histori të përcillet mesazhi se steroidët mund të marrin jetë njerëzish: “Nuk duam që asnjë familje tjetër të kalojë atë që kemi kaluar ne.”

Top Channel