“Nuk besoj se në 6 muajt e tjerë do ketë një vizitë kaq të rëndësishme, sepse vizita e kryeministrit të Shqipërisë dhe delegacionit qeveritar në kancelarinë e Gjermanisë është unikale për një mandat të tërë dhe jo vetëm për 6 muaj”.

Kështu e komenton për Top Channel kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, vizitën në Gjermani, një vizitë që ai thotë se për Shqipërinë është gjithmonë e rëndësishme.

Përpos kësaj dhe faktit se kjo vizitë zyrtare, e shoqëruar me ceremoninë që e ngre takimin në nivelin e pritjes më të lartë protokollare të shtetit gjerman, ajo merr një tjetër vlerë kur zhvillohet vetëm dy muaj përpara vendimit të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

“Pa dyshim jo vetëm për faktin që kjo vizitë është me rëndësi për Shqipërinë, takimi me kancelaren, komunikimi intensiv dhe mirëkuptimi që patëm me të e bën këtë vizitë për mua të veçantë dhe të paharrueshme”, deklaron Rama.

Pyetjes, nëse e interpretoi optimizmin e zonjës Merkel për çështjen e statusit, shefi i qeverisë jep këtë përgjigje: “Unë nuk dua të komentoj atë që kancelarja ju tha në konferencën për shtyp, por dua të nënvizoj se kemi pasur mundësinë dhe nderin ta ndjejmë nga fare pranë mbështetjen e Gjermanisë, që është historiike në këtë periudhë që pas rënies së komunizimit, por edhe për sfidat që ne kemi përballë merr një rëndësi të posaçme”.

Megjithë mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë, zoti Rama nuk nxiton të bëjë parashikime për vendimin e qershorit, ndërsa i mbetet qëndrimit se vendimi negativ i dhjetorit ishte i ndikuar nga qarqe të caktuara të politikës europiane.

“Unë nuk kam asnjë aryse që të ndryshoj bindjet e mija. Përveç rastit kur të tjera rrethana, të tjera fakte e të tjera argumente prevalojnë, ajo pjesë e politikës evropiane ka pasur vetë influencën negative në atë moment dleikat”, shton Rama.

Kryeministri konkludon se qeveria e tij do të bëjë më të mirën, jo vetëm për marrjen e statusit të vendit kandidat, por për atë që e quan “rrugëtim brenda vetes”, ndërtimin e Europës brenda Shqipërisë.

Top Channel