Çdo babai i takon të kujdeset për fëmijët e tij në një moment apo edhe më shumë se kaq. Por, të rrisësh një fëmijë për një baba në Shqipëri nuk është edhe aq e zakontë.

Janë angazhimet profesionale, por edhe mendësia ato që i mbajnë larg këtij angazhimi. Megjithatë, rasti i Adrian Lipes është ai i një babai model sesi një burrë mund të përkujdeset për të voglën e tij.

Bashkëshortja e Adrianit është më shumë e angazhuar profesionalisht se ai vetë. E për këtë arsye çifti ka zgjedhur që me mirërritjen e Nadias të merret babai dhe duket se ia ka dalë për mrekulli, pasi për edukatoret e të voglës ai është një baba model.

Pa eksperiencë dhe pa asnjë lloj trajnimi për të bërë babain me kohë të plotë, Adi e mori përsipër këtë angazhim që kur Nadia ishte 6-muajshe sepse nëna duhej të kthehej të punonte. Ai u kujdes për të në shtëpi derisa vajza mbushi 1 vit e gjysmë. Prej atëherë, Nadia nisi të frekuentojë çerdhen e tashmë angazhimi i 39-vjeçarit si baba është i pjesshëm.

“Është i përkryer si baba, prindër të tillë na duhen sa më shumë”, thonë edukatoret.

Tashmë faza më e vështirë e rritjes së një fëmije ka kaluar. Nadia argëtohet e pavarur në hapësirën e saj e të dy së bashku kanë më shumë mundësi për të shijuar kohën që kalojnë bashkë: baba dhe bijë.

Top Channel