5-vjetori i Shqipërisë në NATO

01/04/2014 00:00

Në një ceremoni në Bruksel u kujtua 5-vjetori i antarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në një intervistë për Top Channel, tha se gjatë këtyre viteve Shqipëria është përpjekur për stabilitetin e rajonit dhe më gjerë.

Ai theksoi se Tirana mbështet antarësimin e Kosovës në NATO dhe se është për politikën e dyerve të hapura në Aleancë.

Tch: Z. Ministër, 5 vjet nga antarësimi i Shqipërisë në NATO, çfarë i ka sjellë ky antarësim vendit?

Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm: Në radhë të parë, antarësimi i Shqipërisë në NATO është një ngjarje e shënuar në historinë e rikthimit të Shqipërisë me kombet, që janë pjesë e civilizimit euro-atlantik, dhe është pika më e rëndësishme e takimit në historinë e re të Shqipërisë. Natyrisht që Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-s, është përpjekur që të jetë një pol stabiliteti në rajon, është përpjekur që të ketë një politikë konstruktive në rajon, të projektojë një stabilitet demokratik dhe të ketë një ndërveprueshmëri, në kuptimin diplomatik e ushtarak, me aleatët tanë. Edhe sot, besoj se Shqipëria rreshtohet në grupin e vendeve anëtare të NATO-s, të cilët kërkojnë që procesi i zgjerimit, apo politika e dyerve të hapura, të jetësohet dhe procesi i riunifikimit të kontinentit të vazhdojë me cilësi e reforma.

Tch:
Cili është qëndrimi i Shqipërisë, për sa i takon krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës?

Ditmir Bushati: Procesi për Forcat e Armatosura në Kosovë është i vështirë, i cili kërkon energji dhe vizion. Ne, si Shqipëri, e kemi mbështetur këtë proces dhe vizionin e qeverisë së Kosovës për të kryer këtë proces transformimi dhe jemi të gatshëm ta mbështesim, jo thjesht në planin politik, por dhe në planin logjistik dhe praktik, për të përgatitur këtë Forcë, që në të ardhmen e afërt të jetë e përshtatshme edhe me sfidat, që kërkon procesi i antarësimit në NATO. Kosova është një shtet, që e ka shprehur mjaft qartë vokacionin e saj euroatlantik dhe dëshirën për t’u antarësuar në Bashkimin Europian e NATO, ndaj dhe Shqipëria do të jetë gjithnjë krah saj.

Tch: Ndërkohë, për herë të parë, do të mblidhet në Tiranë Këshilli i Ambasadorëve (NAC), më 22 dhe 23 Maj, përse organizohet kjo?

Ditmir Bushati: Kjo është pikërisht arsyeja se, pse në Ministerialin e Dhjetorit ne ramë dakord për të ngritur një grup pune, që do të shqyrtonte ecurinë e gjithë aspirantëve drejt antarësimit në NATO dhe duam të japim një mesazh të qartë, duke mikpritur Këshillin e Atlantikut të Veriut në Tiranë, për të pasur një fokus te rajoni ynë. Pra NATO, për rajonin në rajonin tonë, në vigjilje të samitit të Uellsit, për të rishikuar ecurinë e këtij procesi, e për të dhënë mbështetjen tonë politike si Shqipêri për këtë proces. Kuptohet, ne kemi një rol modest në Aleancë, në përputhje me ambicien tonë. Duam t’i japim një shtysë të re zgjerimit të NATO-s, që po kalon momente të vështira.

Tch: Sa shance ka Mali i Zi për t’u antarësuar në samitin e radhës dhe ç’pozicion mban Shqipëria për këtë?

Ditmir Bushati:
Kuptohet që pozicioni i Shqipërisë është i qartë për dyer të hapura, në momentin që standardet e vendeve që synojnë antarësimin janë të përmbushura dhe këto standarde janë të çertifikuara nga institucionet e NATO-s dhe vetë vendet e kësaj organizate. Është e rëndësishme, që të gjitha boshllëqet në fushën e sigurisë të adresohen nga ana e NATO-s, teksa ne jemi për një qëndrim të sinkronizuar ndërmjet NATO-s, Bashkimit Europian dhe SHBA-ve, për të mos e konsideruar çështjen e sigurisë si të ndarë nga çështjet e karakterit politik, çështjet e shtet-ndërtimit, e mbi të gjitha nga çështjet e konvergjencës ekonomike dhe shoqërore.

Tch: Në fokus të Ministerialit është kriza në Ukrainë. Ç’pozicion keni ndaj Gjeorgjisë, Moldavisë? A do të ruhen kanalet e komunikimit me Rusinë, apo do të respektohen vetëm sanksionet?

Ditmir Bushati: Është e kuptueshme, që Ministeriali ka në fokus zhvillimet në Ukrainë dhe precedentët e mundshëm të implikimeve, që mund të sjellë kriza ukrainase në zona të caktuara të Europës e botës, sepse – siç e ka theksuar dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Kerry, – kemi një sjellje tipike të shekullit të 19 në shekullin e 21-të dhe roli i Shqipërisë ka qënë mjaft i qartë. Ne kemi kontribuar në misionin vëzhgues në Ukrainë, që mori jetë përmes OSBE-së. Kemi qenë ndër ato vende anëtare të NATO-s, të cilat e kanë shpallur qëndrimin dhe mosdakordësinë e tyre me veprimet e paligjshme të Rusisë në Krime dhe kemi rakorduar gjithashtu qëndrimin tonë e i jemi bashkangjitur atij të Bashkimit Europian, duke qenë se jo vetëm politika jonë e Jashtme ka sintoni me atë të BE-së, por është dhe një detyrim i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Për fat të keq, rajoni u përball me disa zhvillime jo fort pozitive, siç ishte rasti i disa prej vendeve të Ballkanit, të cilat edhe pse kanë angazhime kontraktuale me BE-në, nuk iu bashkangjitën qëndrimit të BE-së dhe sanksioneve, përsa i përket Rusisë në këtë çështje. Kjo nuk është një çështje që ka të bëjë me Rusinë apo Ukrainën, por është parimore që ka të bëjë me rendin e së drejtës ndërkombëtare, me sundimin e së drejtës në marrëdhëniet ndërkombëtare, procese këto mjaft të rëndësishme për Europën e botën e sotme.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO

Ish-zëdhënësi Apathuraj: Shqiptarët duhet të ndihen krenarë

TCh: Më 1 Prill 2009, në konferencën për shtyp që ju organizuat rreth orës 4 pasdite, lajmëruat firmosjen e traktatit të anëtarësimit. Si e kujtoni sot këtë ngjarje?

James Apathuraj: E mbaj mend shumë mirë. Kur je zëdhënës i NATO-s nuk ke gjithmonë gjëra të mira për të thënë dhe kjo ka qenë një nga gjërat më të këndshme që unë kam patur mundësinë të them. Ishte një ngjarje pozitive dhe historike për NATO-n dhe Shqipërinë. Unë isha tepër i lumtur që isha pikërisht unë ai që e lajmëronte këtë. Që nga ai çast, ka qenë vetëm një konfirmim për pjesën e mirë të këtij lajmi. Mendoj se shqiptarët duhet të jenë shumë krenarë për 5 vitet e tyre në NATO. Më lejoni t’ ju listoj 3 gjëra pasi janë të treja shumë të rëndësishme. Së pari, kontributi në operacione si Afganistani. Së dyti, po kontribuon në zhvillimin e aftësive përmes projekteve tona të mbrojtjes inteligjente. Së treti, ajo që ka më shumë rëndësi është kontributi politik, duke na ndihmuar për zhvillimin e politikave tona në Ballkanin Perëndimor pasi Shqipëria e njeh mirë rajonin.
Zëri i Shqipërisë është mjaft i qartë. Ju keni ambasadorë të mrekullueshëm, tani na ka ardhur një i ri që po bën punë të mirë.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel