Egla, oficerja, nëna dhe bashkëshortja

31/03/2014 00:00

Ajo është një grua kurajoze që na bën të gjithëve krenarë. Oficerja Egla Pashollari në vitin 2005 kur nisi profesionin nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do të merrte cmimin kombëtar, “Gruaja Kurajoze” nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas 9 viteve karrierë, 31-vjeçarja aplikon për të shkuar në Afganistan, ku do të trajnonte policinë afgane për 6 muaj. Egla la të bijën 5 vjec dhe bashkëshortin për të shërbyer në frontin e luftës.

“Në momentin që na ka njoftuar për të shërbyer në Afganistan kemi qenë të gjithë kundër. Kishte nisur krejt rastësisht me një aplikim online dhe që ditën që ka aplikuar të gjithë kemi qarë, sepse e dnimin që do ta fitonte, por me shpirt thonim do Zoti jo. E nisi për një ego femërore dhe realisht doli ndër të parat në Shqipëri. Momenti i nisjes ka qenë i vecantë, që në orët e para të mëngjesit. Nuk e kam përcjellë sepse e kisha të pamundur ta përcillja vetë”, rrëfen mikesha e saj më e afërt.

Ekipi përbëhej nga një grup prej 11 oficerësh, nga të cilët Egla ishte e vetmja femër. Cdo ditë lëvizte me eskortë në masa të larta sigurie duke përmbushur plotësisht detyrën në një vend ku siguria për jetën ishte e vogël.

“Vështirësitë kanë qenë të jashtëzakonshme për vajzat dhe të shoqin që la këtej. Vajza pothuajse nuk u përmendte thjesht nga fakti që e ëma nuk ishte aty. Ndërsa Egla nga ana tjetër sa herë që ishte në Skype merrte bidonin e ujit dhe mundohej të mos qante”, shton mikesha e Eglas.

Kontigjenti u kthye në Shqipëri në janar të këtij viti. Dy njerëzit e saj më të dashur, vajza dhe bashkëshorti e pritën plot mall në aeroport. Kur nuk është në shërbim, vajza kurajoze kalon kohë me mikeshën e afërt, ndërsa për detyrën e oficeres eprorët e saj flasin me superlativa.

Pas uniformës fshihet një grua, një nënë e përkushtuar, një mikeshë dhe një profesioniste e zonja. Ka gjetur plotësisht mirëkuptimin e bashkëshortit në punën që bën dhe përpiqet cdo ditë për më të mirën. Është e ndërgjegjshme me rreziqet e përditëshme të punës së saj, por me natyrën që ka, cmimi “Gruaja Kurajoze” i përshtatet plotësisht.

Vetë Egla e pranishme në studion e Pasdites rrëfeu përvojën e saj në Afganistan, vështirësitë e punës atje dhe miqësitë e lidhura me gratë afgane që trajnoi.

Top Channel