Në 5-vjetorin e anëtaresimit të Shqipërisë në NATO, Kryeministri Edi
Rama u shpreh se, përgjegjësitë e vendit, në kuadër të Aleancës nuk janë
thjesht dhe vetëm ushtarake.

Përpara drejtuesve më të lartë të Forcave të Armatosura në një ceremoni rasti në Ministrine e Mbrojtjes, Rama ju drejtua cdo ushtaraku ne veçanti dhe çdo shqiptari se, vendit i kerkohet të përmbushë me dinjitet, standardet e larta te larta të demokracisë e shtetit ligjor dhe të ekonomisë së tregut të lirë.
 
“Mbajtja e barrës përkatëse në të gjithë spektrin e angazhimeve operacionale të NATO-s kudo në botë, është sot pjesë integrale e detyrimeve të vendit dhe e detyrimeve tona ndaj vetë vendit. Mund të pohohet me krenari, në këtë 5-vjetor kaq të shënuar, se Shqipëria e ka plotësuar dhe vazhdon ta plotësojë me përgjegjësi të plotë dhe me sukses, çdo pjesë të përgjegjësive të saj në gjirin e kësaj Aleance të madhe”, u shpreh Rama.

Me pas Kryeministri rradhiti reformat e duhura.

“Hartimi i dokumentit të parë të strategjisë së sigurisë kombëtare, pas anëtarësimit të vendit tonë në NATO; reforma e thellë ligjore dhe strukturore e institucioneve  të sigurisë; modernizmi i vazhdueshëm i forcave të armatosura, policisë së shtetit, shërbimeve inteligjente dhe strukturave te tjera ligj zbatuese janë sot, prioritete të dorës së parë dhe janë sot në rendin e ditës së punës sonë me mish e me shpirt, si Qeveri e Shqipërisë, për një Shqipëri evropiane”, tha Rama.

Ndersa ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli tha se do te kete reforma per te rivitalizuar ushtrine.

“Ne jemi të vendosur të mbajmë e lartësojmë rolin tonë si anëtarë të kësaj aleance. Ne do të zbatojmë me vendosmëri reformat e nevojshme për të rivitalizuar ushtrinë dhe institucionet nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, me qëllim për t’i vendosur ato në standardet e organeve homologe të vendeve aleate në NATO”, tha Kodheli.

Ceremonia u bojkotua nga Presidenti i Republikës, njëherësh edhe komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. E pyetur nga Top Channel, Zyra e Shtypit e Presidences, tha se, mungesa e Presidentit lidhet me protokollin. Sipas Presidences, aktiviteti ka qene pa axhende dhe Presidenti nuk ka patur mesazh per te percjelle. Ftesa e derguar ka qene e papersonalizuar dhe si e çdo te ftuari tjeter ne aktivitet.

Top Channel