PD: Tjetër zyrtar me precedentë

28/03/2014 00:00

Kreu i Zyrës së Punës në Korçë, është denoncimi i radhës nga selia blu
në listën e personave me precedent penalë të emëruar nga qeveria Rama.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, denoncoi emërimin e Florenc Tabakut në krye të zyrës së punës në Korçë, i dënuar me 6 muaj burg dhe 250 mijë lekë të reja për falsifikim dokumentesh.

“Drejtori i Zyrës së punës në Korcë, Florenc Tabaku, rezulton se i plotëson kriteret për të gëzuar besimin e Edi Ramës, në këtë detyrë dhe përgjegjësi të rëndësishme. Ai është dënuar me 6 muaj burg, dhe me 250 mijë lekë gjobë nga gjykata e Korçës në vitin 2004, për falsifikim dokumentesh. Florenc Tabaku, i dënuar për falsifikim dokumentesh, është pjesë e krenarisë së Kryeministrit, sepse zyrat e punës duket se janë për momentin pasioni i tij i madh. Megjithëse prej ditës që Rama ka ardhur në pushtet, janë humbur 40 mijë vende pune, shumë persona më precedentë penalë kanë arritur të bëhen shefat e punësimit, dhe gjithashtu të kapin të tjera poste kyce në administratë”, tha zëdhënësja Vorpsi.

Top Channel